Gjykimi per pronen ndaj ish zyrtareve te kadastrit - 15.02.2019

Regjistrimi i pronës, vëllai e tre ish-zyrtarë të kadastrit akuzohen për dëmin mbi 500 mijë euro

Ish-zyrtarët e kadastrit të Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaçi dhe Doruntina Peqani, të akuzuar për veprën penale  keqpërdorimi i  pozitës zyrtare, si dhe Naim Dushku për veprën penale mashtrimi, e kanë dhënë mbrojtjen e tyre e para gjykatës.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit Pajazit Dushkut në vlerë prej 500.000 euro.

Ky proces gjyqësor ka nisur si rezultat i bartjes së një prone për të cilin njëri pjesëtar i familjes është i akuzuar për mashtrim, e tjetri i dëmtuar.

Gjatë deklarimeve të tyre, Doruntina Peqani, dhe Ramush Thaçi theksuan se  sipas tyre ata kanë kryer detyrat e tyre ligjore, pa pasur njohuri e qëllim që ta favorizojnë dikë ose ta dëmtojnë dikë tjetër.

E akuzuara Dorentina Peqani deklaroi se, duke punuar në cilësinë e udhëheqëses për regjistrimin e pronës së paluajtshme në Komunën e Prishtinës, një nga detyrat e saj ka qenë nxjerrja e vendimeve për regjistrimin e pronave të paluajtshme.

Në pyetjet e parashtruara nga prokurorja Dulina Hamiti, për rastin konkret, ajo tha se pasi ka pranuar kërkesën nga Naim Dushku, ka përpunuar lëndën dhe ka nxjerrë vendim për bartje të pronës, pasi sipas saj, kërkesa e palës ka qenë e bazuar pasi kontrata që ai ka prezantuar ka qenë e vërtetuar në gjykatë.

“Këtë aktvendim e kam nxjerrë sepse kjo ka qenë detyrë e imja e punës. Ndërsa sa i përket se në çfarë jam bazuar, është kërkesa e palës me dokumente përkatëse në këtë lëndë. Dokumentet që kanë qenë të sjella nga pala, është kontrata për mbajtjen e përjetshme, certifikata e pronësisë së babait të tij, në mbështetje të lëndës ka qenë emri i kërkuesit Naim Dushkut, letërnjoftimi  i tij, kontrata ka qenë e vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë”, tha Peqani.

Ajo gjithashtu theksoi se kërkesën e përgatitur e ka dorëzuar për verifikim te udhëheqësi i saj, Ramush Thaçi. Sipas saj asnjë vendim që ajo ka marrë nuk ka prodhuar efekt juridik pa nënshkrimin e Thaçit dhe drejtorit të Zyrës Kadastrale, Shiqeri Spahiu.

Në fund të mbrojtjes së saj ajo shtoi se i vjen keq që ka ndodhur ky gabim, dhe se me qindra raste të tilla kanë ndodhur në Drejtorinë e Kadastrit, por gjithmonë përmirësohen, sepse është obligim i zyrtarëve, qoftë me kërkesë të palëve apo sipas detyrës zyrtare.

Mbrojtjen e dha edhe i akuzuari Ramush Thaçi, i cili deklaroi  se gabime kanë ndodhur edhe në raste tjera mirëpo këto gabime përmirësohen me rregullore, duke bërë përmirësim me një aktvendim të ri.

Në pyetjen e trupit gjykues se për çfarë gabimi po flitet, i akuzuari theksoi se gabimi ka qenë në ndarjen e objektit, do të thotë të kateve.

“Gabimi ka qenë në ndarjen e objektit, e kateve të shtëpisë, për të  cilin kurdoherë ka mujt mu përmirësu, pasi që Kadastri është  servis, bën regjistrimin e të dhënave dhe bën sigurimin e tyre”, tha Thaçi.

Në këtë seancë dha dëshminë e tij edhe Naim Dushku. Ai deklaroi se kontratën e ka bërë me babin e tij Mehmet Dushkun në vitin 1998 në gjuhën serbo-kroate.

Më tutje shtoi se për kontratën dijeni ka pasur edhe vëllai i tij Pajaziti, dhe se ai e ka katin e tij dhe pasurinë që i takon.

Ndryshe, ky gjykim ka filluar pas kallëzimit penal të Pajazit Dushkut, me pretendimin se vëllai i tij, Naim Dushku e kishte mashtruar duke e bartur pronën e familjes në emër të vet, pa dijeninë e tij, e cila më pas ka prodhuar aktakuzën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke ngarkuar tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaçi dhe Doruntina Peqani, ndërsa Naim Dushkun për mashtrim.

Seanca e radhës do të mbahet me 20 shkurt.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 14 dhjetor 2017, të pandehurit Shiqeri Spahiu, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Ramush Thaçi në cilësinë e shefit të sektorit të Drejtorisë së Kadastrit në Prishtinë dhe Doruntina Peqani në cilësinë e udhëheqëses së zyrës për regjistrimin e pronave të paluajtshme në Drejtorinë e Kadastrit, kanë shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku.

Sipas Prokurorisë në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, të lidhur në mes të mbajtësit tani të ndjerit Mehmet Dushku, dhe mbajtësit Naim Dushkut, edhe pse në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përhershme tani i ndjeri Mehmet i kishte lënë trashëgimi  edhe djalit të tij Pajazit Dushkut, katin përdhes të shtëpisë, e cila përbëhej prej tri dhomave me hapësira tjera. Kurse Naim Dushku në bazë të kësaj kontrate ia kishte lënë katin e parë dhe dytë me hapësira tjera, me ç`rast të pandehurin Pajazit Dushku e kanë privuar nga e drejta e regjistrimit të pronës.

Sipas pretendimeve të prokurorisë të pandehurit e lartcekur kanë nxjerr aktvendim me ç`rast ia kanë aprovuar kërkesën e Naim Dushkut që ka ta bëjë me bartjen e të drejtës sw pronës së paluajtshme me sipërfaqe 612m katrorë, dhe prona e paluajtshme e lartcekur është regjistruar në regjistrin kadastral në emër të Naim Dushkut.

Të akuzuarit, e lartpërmendur sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit Pajazit Dushku në vlerë prej 500.000 Euro.

Kurse, i pandehuri Naim Dushku, sipas aktakuzës, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm ka regjistruar pronën në regjistrat e Drejtorisë Kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke u thirrur në kontratën e lartpërmendur dhe duke mos i treguar vëllait të tij Pajazit Dushku.