Ilustrim: Aeroporti i Prishtinës - Foto: Aeroporti

Regjistrimi i Diasporës: Numri Arrin në 343 Mijë

Ministria e Diasporës publikoi sot rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës.

Deri më 31 dhjetor të vitit 2016 në këtë proces u regjistruan 342 mijë e 803 kosovarë që jetojnë jashtë vendit.

Regjistrimi i diasporës u ndihmua nga Ministria e Jashtme e Finlandës dhe UNDP-ja.

Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Diasporës tregohet qëllimi i regjistrimit.

“Qëllimi i regjistrimit ishte sigurimi i të dhënave për numrin e saktë të pjesëtarëve të diasporës në shtete të ndryshme të botës, shtrirjen e tyre gjeografike, strukturën demografike, e gjithë kjo në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor”, thuhet në komunikatë.

Ministri në detyrë i Diasporës Valon Murati tregoi se si u zhvillua regjistrimi.

“Përqendrimi kryesor i gjithë punës sonë dyvjeçare ka qenë te regjistrimi fizik  i bashkatdhetarëve, i cili është bërë  në qytete, pika kufitare e aeroport”, tha Murati.

Rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës i hapën rrugë procesit të regjistrimit online, i cili do të zgjasë deri në vitin 2021.