Refuzohet kërkesa e prokurores Drita Hajdari për përjashtimin e gjykatësit në rastin ‘Pronto’

Tre ditë pasi që prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari kërkoi nga kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Aferdita Bytyqi që të përjashtojë nga gjykimi i rastit ‘Pronto’, gjykatësin Shashivar Hoti, kjo kërkesë është refuzuar nga e para e Gjykatës së Prishtinës.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin kryetarja e Gjykatës, Afërdita Bytyqi ka refuzuar kërkesën e prokurores Hajdari që gjykatësi Hoti të përjashtohet nga gjykimi i rastit ‘Pronto’.

Kësisoj, gjykatësi Shashivar Hoti do të vazhdoj të gjykojë këtë rast, përkundër se në shqyrtimin fillestar të rastit të njohur si ‘Pronto’, të mbajtur më 15 nëntor 2018, ka refuzuar propozimin e prokurores Hajdari për të lexuar aktakuzën ashtu siç përcaktohet qartë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Sipas aktvendimit, kërkesa për përjashtimin e gjykatësit është e pabazuar, sepse prokurorja Hajdari nuk ka prezantuar ndonjë rrethanë e cila do të arsyetonte përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues nga procedimi dhe vendosja në këtë çështje penale siç parashihet me dispozitat e nenit 39 të KPP-së.

“Nga shkresat e lëndës nuk rezulton ndonjë veprim i ndërmarrë nga gjykatësi i çështjes nga i cili veprim mund të vihet në dyshim paanshmëria dhe objektiviteti me rastin e procedimit dhe vendosjes në këtë çështje penale”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Më tej, aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, pretendon se përpos se nuk janë përmbushur kushtet e caktuara për përjashtim sipas nenit 39 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, po ashtu nuk përmbushur as kushtet e përcaktuara me Kodin e Etikës Profesionale të Gjyqtarëve dhe si rrjedhojë kërkesa është gjetur e pabazuar.

Për më tepër, në aktvendimin mbi refuzimin e kërkesës për përjashtim, citohet edhe Kodit i Etikës Profesionale për Gjyqtarë ku përcaktohet se ‘Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre i trajtojnë të gjitha palët në procedurë në mënyrë të barabartë, pa favorizime, anime dhe paragjykime dhe se gjatë gjithë kohës duhet të jenë të paanshëm dhe paanshmëria ka të bëjë jo vetëm me vendimin por edhe me procedurën e marrjes së vendimit’.

Mirëpo, përkundër këtij aryetimi, në fund të aktvendimit mbi refuzimin e kërkesës është një paragraf që implikon se për shkelje procedurale nuk mund të ushtrohet kërkesë për përjashtimin e gjykatësit nga gjykimi i çështjes sepse për këtë mund të ushtrohet ankesë.

Kjo mund të përkthehet në atë se nëse prokurorja Drita Hajdari ushtron ankesë për këtë çështje pasi të nxjerrët aktgjykimi, nëse Gjykata e Apelit e gjenë si të bazuar dhe konsideron se është shkelje esenciale, çështja mund të rikthehet në rigjykim për shkak të mos lejimit të leximit të aktakuzës nga gjykatësi Hoti.

KALLXO.com raportoi dje se prokurorja Hajdari ka kërkuar përjashtimin e gjykatësit Shasivar Hoti për arsye se në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale nuk kishte mundësuar leximin e aktakuzës nga prokurorja Hajdari.

Paragrafi  3 i nenit 246 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, në të cilin përcaktohet radha e veprimeve procedurale në shqyrtim fillestar,  përcakton se aktakuza u lexohet palëve.

“Pastaj prokurori i shtetit ia lexon aktakuzën të pandehurit”, thuhet në dispozitën e nenit 246 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Kjo dispozitë përveç se i jep të drejtën palës së akuzuar që të njoftohet me pretendimet e Prokurorisë ndaj tij, gjithashtu mundëson edhe plotësimin e parimit të publicitetit të Procedurës Penale, duke i mundësuar publikut të mësoj se për çfarë po akuzohen të akuzuarit e çdo rasti.

Prokurorja speciale Drita Hajdari në kërkesën e saj, ka potencuar se me këtë veprim, gjykatësi i këtij rasti nuk është treguar objektiv dhe i paanshëm, duke mos pasur parasysh edhe kërkesën e prokurores për të lexuar aktakuzën, e për me tepër duke injoruar edhe dispozitat ligjore që përcaktojnë një gjë të tillë.

Të enjten e javës së kaluar, Adem Grabovci dhe të gjithë të akuzuarit e rastit ‘Pronto’ janë deklaruar se nuk ndihen fajtor për pretendimet e Prokurorisë.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.