KPK refuzon ankesat e kandidatëve për kryeprokuror të shtetit

Komisioni për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit në përbërje të prokurorëve: Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Jehona Grantolli, kanë shqyrtuar ankesat e kandidatëve.

Ankesa kanë ushtruar kandidatët Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Kryesisht ankesat e kandidatëve për kryeprokuror të shtetit ishin në bazat e mos zbatimit të ligjit, mos zbatimi të dispozitave të rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit dhe për poentim të pasaktë.

Pas analizimit të këtyre ankesave, anëtarët e komisionit kanë gjetur se ankesat e secilit kandidat për kryeprokuror të shtetit janë të bazuara në pjesën e poentimit të pasaktë.

Baza e aprovimit të ankesave të kandidatëve në fushën e poentimit, ka qenë për shkak se sipas kandidatëve që kanë ushtruar ankesën dhe sipas vlerësimit të komisionit, në disa raste anëtarët e komisionit për përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit gjatë poentimit të kandidatëve nuk kanë dhënë arsyetim të duhur në raport me rregulloren lidhur me emërimin e kryeprokurorit të shtetit.

Në mbledhjen e 212-të të KPK-së, komisioni për rishqyrtim të ankesave për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit paraqiti para anëtarëve të këshillit prokurorial, raportin lidhur me shqyrtimin e ankesave të kandidatëve për kryeprokuror.

Mirëpo gjetjet e komisionit për rishqyrtimin e ankesave nuk u aprovuan nga anëtarët e këshillit prokurorial.

Me 7 vota kundër dhe vetëm 3 për, u refuzua raporti i komisionit për rishqyrtimin e ankesave për kryeprokuror të shtetit.

Lidhur me gjetjet e komisionit për rishqyrtimin e ankesave pati kundërshtime nga kryeprokurori i shtetit, Aleksanër Lumezi.

Lumezi deklaroi se në bazë të raportit të paraqitur nga komisioni konstatohet se nuk ka pasur shkelje të ligjit dhe rregullores, prandaj sipas Lumezit nuk ka hapësirë për aprovim të ankesave të kandidatëve.

“Nga kjo që e prezantoi është evidente se nuk ka pasur kurrfarë shkelje të ligjit apo të rregullores për emërimin kryeprokurorit të shtetit, mirëpo ka gjetje dhe aprovimeve të kërkesave të kundër kandidatëve se poentimi nuk ka qenë i saktë. Unë nuk e kam të kjartë a kanë vepruar në përputhje me rregulloren edhe në përputhje me kundërshtimet se duhet komisioni ta ketë parasysh se kundërshtimet kufizohen vetëm në shkeljet specifike që janë paraparë në ligj a në rregulloren për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, nga ajo që u raportua shihet që nuk ka shkelje të ligjit dhe rregullores për emri të kryeprokurorit por vetëm janë thirrur në poentimin e pasaktë”, deklaroi Lumezi.

Lidhur me këtë çështje, kryetari i komisionit për rishqyrtimin e ankesave Veton Shabani, deklaroi se komisioni ka gjetur bazë për aprovimin e ankesave pasi që ka pasur raste kur arsyetimi i poentimit ka qenë i mangët dhe nuk ka qenë në përputhje me udhëzuesin.

“Ka qenë pak sfiduese edhe për ne. Ne ashtu siç e kemi parashtru në raport konsiderojmë se pikërisht kjo ka qenë baza ku kandidatët janë thirr më së shumti dhe ne jemi lëshuar në këtë mënyrë më specifike në të gjitha kategoritë që ata kanë paraqitë ankesë. Është mirë apo jo këtë e ka përcaktu rregullorja dhe jo ne. Gjetjet kanë qenë shumë profesionale dhe në përputhje të plotë me udhëzuesin, lidhur me këtë vendimi është i juaji dhe ne do ta vlerësojmë. Është e vërtetë që nuk ka asnjë rast që ka dhënë përtej vlerësimit të përcaktuara të pikëve, por nëse analizohet është se janë dhënë më pak pikë, dhe vlerësim i njëjtë, prandaj jemi lëshu aty”, tha Shabani.

Por, lidhur me këto konstatime të komisionit, Lumezi u shpreh se për këto gjetje, kandidatët vendimin mund ta atakojnë në instanca të tjera.

“Kjo është arsye që mund të atakohet edhe në instanca të tjera dhe në Gjykatë. Këtë mund ta ketë parasysh edhe presidentja e vendit, thash që jemi vonë me kohë”, tha Lumezi.

Aleksandër Lumezi deklaroi se në rast se komisioni ka konstatuar që poentimi ka qenë i pasaktë atëherë komisioni në raport është dashur ta cek se është shkelur rregullorja.

“Nëse ka qenë poentimi i pa saktë është dashtë me thënë është shkelë rregullorja, çka nënkuptoni ju me poentimi i pasaktë, duhet me e respektu bazën që e kemi në rregullore duhesh me thonë poentimi i pasaktë se vlerësimi nuk është bërë  në raport ne poentimin kjo është arsye me e ataku në Gjykatë por jo ne me e detyrua anëtarin e panelit vlerësues me bo arsyetim tjetër, çfarë logjike ka kjo, çfarë logjike ka kjo me e bo anëtarin e panelit vlerësues me e ndërru arsyetimin. Le të jetë kjo subjekt i procedurave gjyqësor por ne nuk mund të vendosim diçka që nuk është në rregullore. Kundërshtimet duhet të përmbajnë arsyet specifike si në vijim”, deklaroi Lumezi.

Komisioni vlerësues në procesin e intervistimit për kryeprokuror të shtetit ka qenë në përbërje të: Jetish Maloku, kryesues, me anëtarët e komisionit prokurorët, Arjana Shajkovci, Bedrie Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

Ndryshe nga herë të tjera, intervistat për kryeprokuror të shtetit janë zhvilluar nën praninë e kamerës, çdo intervistë e secilit kandidatë është xhiruar dhe do të transmetohet në Radiotelevizionin e Kosovës.

Në bazë të rezultatit të intervistimit: Blerim Isufaj është vlerësuar si kandidati më pikët me të larta, me 98 pikë.

I pasuar nga Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë si dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Në bazë të rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, pas votimit dhe shpalljes së rezultateve, atëherë votimi për emërimin e kryeprokurorit të shtetit duhet të aprovohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial.

Blerim Isufaj është kandidati më i poentuar emri i të cilit pritet të votohet për aprovim në këshill, e në rast se votohet, atëherë emri i tij shkon  tek presidentja për dekretim.

Rregullorja përcakton se kandidati që merr më së shumti vota, duke kaluar me vota të përgjithshme, mbi 3% kandidatin e dytë, atëherë emri i këtij kandidati shkon për votim dhe aprovim në këshill.

Në rast se kandidati nuk merr votat e shumicës së të pranishmëve të anëtarëve të KPK-së, atëherë  rishpallet konkursi.

Kurse në rastet kur diferenca në mes të kandidatit të parë dhe të dytë është deri në 3%, atëherë emrat e dy kandidatëve shkojnë për votim në këshill.

Votimi i anëtarëve të KPK-së është i fshehtë.

Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk e merr shumicën e votave, atëherë votimi përsëritet. Nëse edhe pas përsëritjes asnjëri nga kandidatët nuk merr shumicën e votave, atëherë konkursi rishpallet.

Kandidati që merr shumicën e votave dërgohet te Presidenti i vendit për emërim

Përfundon intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit