Yagcilar e Harito në tryezën e diskutimit me shoqërinë civile.| Foto: KALLXO.com

Reformimi i Administratës për Integrim Europian

Në një tryezë ku u fol për rolin e organizatave të shoqërisë civile në reformimin e administratës publike, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike të Shqipërisë Milena Harito tha se ky reformim nevojitet për rrugën evropiane të të dy vendeve.

“Reformat e Administratës Publike në të dyja vendet, në Shqipëri dhe Kosovë, janë pjesë e procesit të integrimit europian dhe janë domosdoshmëri për zhvillimin e shteteve tona dhe pa administrata profesionale me sisteme demokratike do ta kemi shumë të vështirë të çojmë përpara reformat e tjera”, tha ministrja Harito.

Harito po qëndron sot në Kosovë, ndërsa përpara se të merrte pjesë në diskutime u takua me ministrin kosovar të Adminitratës Publike Mahir Yagcilar.

Në tryezë Yagcilar tha se ministria që drejtohet prej tij po zgjeron bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile.

“Bashkëpunimi midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shoqërisë civile është duke u zgjeruar në vazhdimësi në të gjitha aspiratat politike, por edhe në reformën e administratës publike”, tha Yagcilar.

Të pranishëm në këtë tryezë diskutimi ishin edhe disa anëtarë nga organizatat joqeveritare dhe nga shoqëria civile.

Visar Rushiti nga Instituti GAP që në program ka edhe ndihmën dhe projektet për  reformim të administratës publike, tha se bashkëpunimi me MAP-in është shumë i mirë.

“Organizata jonë ka një bashkëpunim shumë të mirë me Ministrinë e Administratës Publike dhe puna e OJQ-ve karshi ministrisë ka kaluar nga faza e një monitorimi të thjeshtë dhe se tani është një partneritet i bashkpunueshëm. Kjo është për t’u vlerësuar pasi që kemi përkrahje edhe nga vetë ministri”, tha Rushiti nga Instituti GAP.

Në maj të vitit të kaluar ministri Yagcilar njoftoi në mbledhjen e qeverisë se në kuadër të reformës së administratës publike është bërë klasifikimi i 15 mijë nëpunësve civilë.

http://kallxo.com/klasifikohen-15-mije-nepunes/

në Raportin e Progresit 2016 në pjesën ku u shpjegua gjendja në administratën publike, u tha se “politizimi i vazhdueshëm i administratës publike… mbetet një shqetësim serioz” dhe se organizimi i administratës shtetërore është i “fragmentuar dhe nuk garanton linja të qarta llogaridhënieje”.

http://kallxo.com/raporti-progresit-sheh-vendnumerim-te-kosoves/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri