Simpoziumi në Fakultetin e Edukimit | Foto: KALLXO.com

Reformë që Mësimdhënia të mos Mbetet Prapa

Metodat e mësimdhënies në Kosovë kërkojnë avancim dhe reformë që do të fillojë me angazhimin e stafit të Fakultetit të Edukimit në bashkëpunim me institucione dhe universitete partnere.

Reforma e mësimdhënies u kërkua në hapjen e Simpoziumit Akademik Shkencor në Fakultetin e Edukimit që ka për synim përmirësimin e hulumtimit në edukim në këtë fakultet.

Arsim Bajrami, ministër i Arsimit vlerësoi shumë të rëndësishme për shtetin përgatitjen e mësimdhënësve.

“Politikat e përgatitjes së mësimdhënësve janë politikë kombëtare, ndërsa çelësi i suksesit në arsim janë mësimdhënësit e përgatitur,” tha Bajrami.

Ndërkaq, Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës u zotua se UP-ja do të angazhohet në inkurajimin e hulumtimeve shkencore.

“Këshilli Drejtues është i obliguar që ta hartojë një strategji në të cilën prioritet kryesor janë hulumtimet shkencore dhe investimi në hulumtues të rinj, në mënyrë që studentët t’i përdorin njohuritë e tyre në praktikë,” tha Dema.

E për reformë u tregua i gatshëm edhe Et’hem Çeku, dekan i Fakultetit të Edukimit që tha se është i vendosur për modernizim të mësimdhënies, por sipas tij një gjë e tillë kërkon kohë.

“Duam të bëjmë reformë për të arritur të kemi mësimdhënës të shekullit XXI të cilët funksionojnë në hap me kohën dhe me kolegët ndërkombëtarë,” tha Çeku.

Simpoziumi i Fakultetit të Edukimit funksionon në partneritet me Projektin e Udhëheqjes Transformuese ‘TLP’, i cili financohet nga USAID- dhe Qeveria e Kosovës si dhe Projektin ‘Tempus’ që financohet nga Komisioni Evropian.

Para pesë ditësh në një konferencë për gjendjen e hulumtimeve shkencore në Universitetin e Prishtinës, ministri Arsim Bajrami kërkoi më shumë fonde për këto hulumtime.

http://kallxo.com/ministri-kerkon-rritje-fondesh-per-kerkime-shkencore/

Në vitin 2013 Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se Universiteti i Prishtinës nuk ka aplikuar për asnjë shpikje.

Universiteti i Prishtinës Me Asnjë Shpikje