Reformat që nuk Po Ulin Koston e Jetesës

Në janarin e këtij viti, ministri i financave Avdullah Hoti vizitoi Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) me rastin e 15 vjetorit të themelimi të këtij institucioni.

Ai  atë ditë foli për disa çështje që do ta shoqëronin 2015-ën: rishikimin e procesit të fiskalizimit dhe përmbylljen e këtij procesi, uljen e interesit për tatim-paguesit e vonuar nga 15 në 11 për qind, përgatitjen e pakos së re fiskale dhe premtimin se nuk do të ketë tatime të reja dhe nuk do të rriten tatimet ekzistuese,ndërsa pakoja do të jetë e leverdishme për bizneset.

Me 17 mars 2015 Ministria e Financave nxori Udhëzimin Administrativ 01/2015 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale dhe Sistemeve Fiskale dhe hyrja në fuqi  ishte më 1 prill 2015. Neni 26 i këtij udhëzimi, fliste për nxitjen dhe motivimin e qytetarëve për marrje të kuponëve fiskalë, të cilët duhej t’i  dërgonin  në ATK dhe më pas të aplikohej  rimbursimi i vlerës së tatueshme të kuponëve fiskal duke i klasifikuar në tri grupe. Për herë të parë shteti po i stimulonte materialisht qytetarët që të merrnin kuponë fiskalë.

Pakoja fiskale për ditë e më shumë po merrte formën e saj. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në deklaratën përmbyllëse të misionit me 30 mars 2015 i kishte sugjeruar Qeverisë së Kosovës  masa shtesë dhe reforma në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh).

Në anën tjetër, kontribuuesit më të madh në mbushjen e arkës së shtetit- doganës parashihej t’i binin të hyrat.

Publikimi i Raportit “Rishikimi i Financave Publike në Kosovë: Politika Fiskale për një Shtet të Ri “ të Bankës Botërore (BB) në korrik të 2015-ës identifikoi rrezikun e rënies së të hyrave nga dogana me nënshkrimin e MSA-së dhe këto të hyra sipas sugjerimit të BB-së duhej të kompensoheshin me të hyrat vendore. BB-ja vlerësonte Kosovën si vendin  e dytë më të varfër në Evropë.

Pakoja e re fiskale u materializua me 22 korrik në Kuvendin e Kosovës dhe zbatimi i saj ishte nga 1 shtatori.

Pjesë substanciale të kësaj pakoje ishin (Tatimi në të Ardhura të Korporatave (TAK), Tatimi në të Ardhura Personale (TAP), dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh). Por këtij të fundit iu ndryshua pragu nga 50 mijë në 30 mijë, TVSh-ja tashmë kishte norma standarde 18 për qind dhe të reduktuara 8 për qind për artikuj esencialë.

Nga ky tatim ishin liruar makineritë prodhuese, lëndët e para dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit.  Sipas të dhënave të ATK-së prej 1 shtatorit deri me 10 nëntor janë trajtuar 142 aplikacione për lirim nga TVSh-ja në importim, 129 nga të cilat janë aprovuar (për lëndë të para 122 dhe 7 për teknologji informacioni).

Publikimi i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) një muaj pas hyrjes në fuqi të TVSh-së me prag të dyfishtë, reforma në TVSh ndikoi me rënie  0.4 për qind në koston e jetesës.

http://kallxo.com/pershkallezimi-i-tvsh-se-zero-impakt-ne-jetese-pas-muajit-te-pare/

Cilat janë efektet e mëtutjeshme të këtyre politikave fiskale mbetet të shihet në vitin e ardhshëm.