Reeker: ShBA e gatshme të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

Ushtruesi i detyrës së Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe EuroAzisë, Philip Reeker ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përfshihen në procesin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duke shtuar se sidoqoftë, kjo nuk mund të ndodhë derisa të dyja palët nuk pajtohen t’i kthehen dialogut.

Reeker i tha Zërit të Amerikës se së fundmi kishte diskutuar me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo lidhur me një rol më të fuqishëm të SHBA-së në procesin e dialogut.

“Ne bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë evropianë. Personalisht isha i përfshirë në një fazë të hershme të dialogut që çoi drejt marrëveshjes së Brukselit, gjë që unë besoj se ka bërë një ndryshim të madh në funksionalizimin e jetës, krijimin e një ritmi dhe zvogëlimin e tensione në rajon në pesë vitet e fundit,” tha Reeker.

Ai shtoi se beson që të dyja palët kanë vullnetin për të gjetur një zgjidhje dhe kështu të kontribuojnë në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Si model për të zgjidhur “çështjet që nuk janë zgjidhur me shekuj të tërë në rajon”, Reeker ka përmendur liderët e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.