Ilustrim

Reduktimet e energjisë nga KEDS, Kryeprokurori flet për nisje të hetimeve

Reduktimet e energjisë elektrike nga KEDS-i javë më parë në Kosovë, priten të hetohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.COM kryeprokurori i Prokurorisë themelore të Prishtinës Imer Beka.

Ai ka deklaruar se interesimi ka filluar nga Prokuroria, por ende nuk ka diçka konkrete.

“Sa i përket hetimeve për KEDS-in në lidhje me reduktimet e energjisë javë më parë, ka pasur interesim nga Prokuroria për të filluar hetimet, por me sa kam informacione unë ende nuk ka asgjë konkrete’’, ka thënë Beka.

KEDS-i, për reduktimet e energjisë ishte arsyetuar se sistemi energjetik po ballafaqohet me  prodhim të pakët vendor i bazuar në vetëm dy blloqe dhe i varur nga importi, i cili mbulonte 50% të konsumit.

https://kallxo.com/keds-jep-sqarime-per-situaten-me-energji-elektrike/

 

Ndërsa reduktimet e KEDS-it, kryeministri Haradinaj i kishte quajtur të papranueshme dhe se qytetarëve dhe Qeverisë nuk iu intereson se cili njësit është funksional e cili jo dhe se nuk iu intereson se cili është çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtarë.

https://kallxo.com/kryeministri-reagon-ndaj-kek-ut-dhe-keds-it-per-nderprerjet-e-rrymes/

Në anën tjetër deputeti Daut Haradinaj ditë më parë kishte deklaruar se ai do të iniciojë krijimin e një komisioni hetues parlamentar për të hetuar KEDS-in, në lidhje me reduktimet e energjisë.

‘’Po, qëllimi i Kuvendit apo qëllimi i im personal është sipas situatës në terren, gjendja është alarmante, mungesa e energjisë, presioni i qytetarëve. Meqë po krijohen komisione hetimore parlamentare pse mos të krijohet edhe një komision hetimor në rastin e KEDS, ta shohim si është gjendja, pa e paragjykuar’’, kishte thënë Daut Haradinaj.

Për Hetimet ndaj KEDS-it është shprehur pozitivisht edhe Lëvizja Vetëvendosje. Në pyetjen e KALLXO.COM se a e përkrahin një hetim të tillë, deputetja e kësaj partie Fatmire Kollçaku ka thënë se gjithmonë aty ku e shohin të arsyeshme, gjithmonë janë bashkëngjitur se çka është në interes të qytetarëve.

‘’Koalicioni qeverisës shumë prej çështjeve mundet me i zgjidhë brenda Qeverisë me vendime qeveritare, pa nxit hetime apo rezoluta, sepse këto kryesisht vijnë nga opozita. Prandaj çdo iniciativë, që është në të mirë dhe interes të qytetarëve ne nuk kemi hezitu t’i bashkëngjitemi’’, ka deklaruar Kollçaku.

Ndaj reduktimeve të KEDS-it kishte reaguar edhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke thënë se reduktimet janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

“ZRrE vlerëson se veprimet e tilla të KESCO/KEDS lidhur me reduktimet e energjisë elektrike janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe në kundërshtim me vendimin e Bordit të ZRrE-së të datës 30 tetor 2018’’, thuhej në reagim.

 

https://kallxo.com/zrre-reduktimet-e-rrymes-nga-keds-te-kunderligjshme/

 

Në anën tjetër kompania KEDS, nuk ka dhënë sqarime sa i përket iniciativave për hetime parlamentare dhe nga ana e Prokurorisë për reduktimet e energjisë elektrike.

Zëdhënësi i kësaj kompanie Viktor Buzhala, në pyetjen e KALLXO.COM, se a kanë marrë ndonjë njoftim nga Prokuroria për nisjen e hetimeve, ai ka thënë se KEDS-i është bashkëpunues me çdo iniciativë ligjore në Kosovë.

‘’KEDS operon në bazë të ligjeve dhe rregulloreve që janë në fuqi në Kosovë. Kjo nënkupton se ne jemi komplet bashkëpunues me çdo entitet apo iniciativë ligjore në Kosovë’’, është përgjigjur shkurtimisht Buzhala.

Buzhala nuk e ka komentuar as iniciativën e deputetit Daut Haradinaj për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e KEDS-it, për reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë.