Ambasadori Walker viziton varrezat në Reçak në vitin 2010. Foto: Komuna e Shtimes

Reçaku Nderon Ambasadorin William Walker me Shtatore

Vendi i cili ndërroi fatin e historisë së Kosovës nga lufta e fundit, Reçaku, në të ardhmen do ta ketë të skalitur figurën e personit që e ngriti këtë fshat në vëmendjen botërore 17 vjet më parë.

Ish shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së, William Walker, do të përjetësohet në bronz pranë Kompleksit Memorial të Reçakut, aty ku pushojnë trupat e 45 civilëve të këtij fshati, të vrarë nga forcat serbe më 15 janar të vitit 1999.

Vetë ambasadori Walker, tashmë në pension, do të jetë i pranishëm në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shtatores që do të mbahet nesër, pikërisht në 17 vjetorin e kësaj masakre.

Në atë ditë janari, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat e armatosura serbe, vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.

Ndërkaq më 16 janar të atij viti, vendin ku u zhvillua tmerri i masakrës e vizitoi dëshmitari i parë ndërkombëtar, ambasadori Walker.

Sapo i kishte parë trupat e pajetë të shtrirë në një kodër mbi fshat, Walker e kishte përshkruar këtë akt të forcave serbe si “krim kundër njerëzimit”.

Ngritja e shtatores së tij është iniciativë e komunës së Shtimes.

Kryetari i kësaj komune, Naim Ismajli, tha të enjten për KALLXO.com se gurthemeli do të vendoset më 15 janar, sado që për dukjen e shtatores nuk ështëvendosur ende.

“Si do të duket, e kemi të vështirë ta dimë sepse nesër do të vendoset gurthemeli, ndërkaq pastaj do të bëhet projektimi, plani ideor, komplet projektimi i memorialit se çfarë dimensione, forme dhe pozite do të ketë”, tha Ismajli.

Ndërsa i mbijetuari i kësaj masakre, Bilall Avdiu, nën emocione në kujtim të tmerrit që kishte përjetuar.

Ai thotë se do të jetë i pranishëm në ceremoninë e vënies së gurthemelit.

Saherë që viziton Reçakun, atij i rezervohet pritje prej heroi.

“Për mua dita e nesërme është e rëndë. Mirëpo meqë po vjen Walker unë jam i gëzuar shumë, sikur me më ardhë babai im,” thotë ai.

Përveç shtatores, rruga e cila çon në fshat prej Shtimes e mban emrin e këtij diplomati.

Ndërkaq sa i përket kostos buxhetore të këtij projekti për shtatoren e Walker, kryetari shprehet se do të kërkojnë edhe ndihmën e Qeverisë së Kosovës.

“Ky projekt do të kushtojë rreth 100 mijë euro. Ne do të kërkojmë mbështetje financiare nga qeveria, por nëse nuk të ketë ne do të realizojmë me para tona, por projekti do të realizohet në faza. Por prioritet do të jepet shtatores,” tha Ismajli.

Masakra e Reçakut njihet si çmimi i lirisë së Kosovës e cila bëri që bota të kuptojë përmasën e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Kjo ngjarje kishte vënë në veprim diplomacinë ndërkombëtare për ta zgjidhur krizën në Kosovë dhe tri javë më pas, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë u mblodhën në kështjellën franceze të Rambujesë, në një konferencë ndërkombëtare e cila përfundoi pa një marrëveshje të arritur, më 15 mars të atij viti.

Nëntë ditë më vonë, NATO kishte filluar fushatën e bombardimeve ajrore të caqeve ushtarake serbe.