Reçaku Kujton të Rënët e Masakrës dhe Nderon Ambasadorin Walker

85 vjeçari nga Reçaku,  Shaip Mustafa, i kishte parë kufomat e para të masakruara 17 vjet më parë në një kodër mbi fshat.

Në ditën kur u bënë 17 vjet nga kjo masakër ndaj 45 civilëve shqiptarë të këtij fshati, ai kujton momentet kur ishte përballur me trupat e pajetë të bashkëfshatarëve.

“Lufta ka qenë e fëlliqur, serbët nuk kursen askënd”, tha Mustafa teksa gjendej pranë memorialit të ngritur skaj fshatit.

Reçaku sot shënoi përvjetorin e 17-të nga masakra e 15 Janarit të vitit 1999 në të cilin u vu gurthemeli i shtatores për nder të ish shefit të Misionit Vëzhgues të OSBE-së, William Walker.

I gjendur në këtë ngjarje, ambasadori Walker e priti në befasi këtë.

“Është befasi nuk më kanë treguar se do të bëhet kjo shtatore dhe shpresoj do të më përngjajë mua që njerëzit të bëjnë foto kur unë nuk jam këtu”, tha ai.

Walker, i cili denoncoi para botës këtë masakër si krim kundër njerëzimit, tha se është edhe i lumtur që këtu ka takuar Presidenten e vendit Ahtifete Jahjaga dhe kritikon qeverinë se pse nuk i është kushtuar një rëndësi Reçakut pas luftës.

Ish shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së, William Walker, sot në Reçak.
Ish shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së, William Walker, sot në Reçak.

“Më  vjen mirë  që pashë Presidenten këtu sepse kam menduar se pse gjatë këtyre viteve nuk i është kushtuar kaq shumë vëmendje pas lufte Reçakut nga Qeveria” tha ai.

Numri i vizitorëve në kompleksin memorial në Reçak ishte i madh.

Atë e vizitoi edhe Kryeparlamentari, Kadri Veseli dhe politikanë të tjerë si Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj.

Reçaku për ambasadorin Walker, është gjëja parë që  mendon kur mendon për Kosovën.

“Reçaku për mua ka domethënien e bazës për pozitivitet dhe optimizëm sa herë që mendoj për të ardhmen e Kosovës së pari mendoj për Reçakun”, tha Walker.

Gjithashtu ai tha se njerëzit e Kosovës nuk i kanë harruar këto ditë dhe se jemi këtu për të kujtuar një ditë të pikëlluar.

“Njerëzit e Kosovës nuk i kanë harruar këto ditë dhe populli Kosovës që besonte se çfarë do të bëhej Kosova një ditë dhe që do te zotohen që ta bëjnë Kosovën ashtu si kanë menduar”, shtoi ai.

Presidentja e vendit në këtë përvjetor i nderoi ata që luftuan për këtë vend dhe se gjuha e vetme për të ecur përpara është dialogu.

“Paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet. Gjuha jonë është gjuha e dialogut dhe jo e dhunës; është shtrirja e dorës së mirëkuptimit dhe jo e përplasjes; është përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin, pa sfiduar institucionet dhe pa rrënuar themelin e tij”, tha Jahjaga.

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli tha zhvillimet e fundit në vend nuk po japin shenja të mira.

“Ne e fituam lirinë, e shpallëm pavarësinë dhe e ndërtuam shtetin por a jemi duke u kujdesur sot aq sa duhet për problemet e vendit dhe se zhvillimet e fundit në vend nuk po japin shenja të mira”, u shpreh Veseli.

Ajo që ka përjetuar këtë masakër është edhe Drita Dugolli e cila edhe ishte dëshmitare kundër Millosheviçit në Hagë në vitin 2002.

Drita thotë se ende ka trauma nga ajo çfarë ka parë në masakër.

“Unë ende psiqikisht nuk jam e qetë dhe sot kur e shohim se si politikanët po bëjnë luftë për karrige më gërditin “, tha ajo.

Masakra e Reçakut njihet si çmimi i lirisë së Kosovës e cila bëri që bota të kuptojë përmasën e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Kjo ngjarje kishte vënë në veprim diplomacinë ndërkombëtare për ta zgjidhur krizën në Kosovë dhe tri javë më pas, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë u mblodhën në kështjellën franceze të Rambujesë, në një konferencë ndërkombëtare e cila përfundoi pa një marrëveshje të arritur, më 15 mars të atij viti.