Reagon Veseli për arrestimin e serbëve në Gjilan

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb, është i papranueshëm.

“Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë. Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Më tej Veseli ka thënë se sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit.

“Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave europiane dhe aspiratave për integrimin në BE”, ka shkruar Veseli.

Kryetari i Kuvendit ka thënë se institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë.

Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan”, ka përfunduar Veseli.

Më herët KALLXO.com ka raportuar për pesë të arrestuar në komunën e Gjilanit nga Policia e Kosovës për veprimtari kundër sigurisë shtetërore.

https://kallxo.com/pese-te-arrestuar-per-veprimtari-kunder-sigurise-shteterore/