Takimi i Haradinajt me zëvendësministrat | Foto: ZKM

Reagon Qeveria: Nuk kemi emëruar zëvendësministra të rinj

Qeveria e Kosovës ka reaguar sa i përket lajmeve të publikuara sot në media për emërimet e reja të zëvendëministrave në Qeverinë e Kosovës.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, nuk bëhet fjalë për emërime të reja, por për ri-emërime të këtyre pozitave.

“Bëhet fjalë për ri-emërime, konkretisht për dy zëvendësime nga partneri i koalicionit Nisma për Kosovën”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas Qeverisë, Besnik Hoti, zëvendës ministër në MPJ është liruar nga detyra dhe është zëvendësuar me Çerkin Dukollin, i cili ka qenë dukë shërbyer si zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ndërsa në pozitën e zëvendësministrit të Ministri të Punës është emëruar Besnik Berisha.

Në Qeverinë e Kosovës janë të emëruar mbi 80 zëvendësministra. Në disa ministri janë të emëruar edhe nga 6 zëvendësministra.

Qeveria Haradinaj është kritikuar disa herë për numrin e madh të zëvendësministrave si nga opozita ashtu edhe nga organizatat e shoqërisë civile.