Ajri i ndotur në Fushë-Kosovë - Foto: KALLXO.com

Reagon Ministrja Lidhur me Ajrin e Ndotur në Prishtinë

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka reaguar pas reagimeve të qytetarëve për ndotjen e madhe të ajrit në Prishtinë dhe komunat përreth.

Ajo ka thënë se ndan shqetësimin me qytetarët për rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit, duke shpjeguar se që nga dita e parë e punës në Ministri ka filluar të punojë me përkushtim në gjetjen e mënyrave profesionale për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Përmes një postimi në “Facebook”, ministrja thotë se jemi të vetëdijshëm që problemi nuk zgjidhet me “shkop magjik”, e aq më pak në vendin tonë ku problemet janë të shtresuara e të trashëguara.

Ministrja Reshitaj thotë po luftojnë që këtë problem ta bëjnë prioritet edhe institucional edhe shoqëror.

“Në të gjitha pjesët tjera të Kosovës mbizotëron gjendje më e mirë e ajrit. Në kryeqytetin tonë të mbingarkuar dhe rrethinën e tij, për shumë vite me radhë ka ekzistuar një gjendje alarmante e vlerave të larta të ndotjes së ajrit , por asnjëherë ndotja e ajrit nuk është vënë si prioritet i qeverisë, madje ende asnjëherë që nga paslufta nuk ka pas komunikim ndërinstitucional të aktereve përgjegjës dhe kompetent për mbrojtjen e mjedisit”, ka theksuar ajo.

Ajo ka përkujtuar takimet që i ka zhvilluar me ministrat e linjës, identifikimin e ndotësve më të mëdhenj dhe kërkesën për kontrolle më të rrepta e gjoba për të gjithë ata që ndotin ajrin.

Po ashtu, ministrja ka theksuar se kanë trashëguar një ligj për mbrojtjen e ajrit nga ndotja që sipas saj kishte zbrazëtira dhe ishte i pazbatueshëm, kurse tani përkujton se janë duke e miratuar të ligjit tëri, që do të rregullojë sektorët që kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit, duke përfshirë edhe përdorimin e lëndëve djegëse si ndotës të ajrit.

“Duke marrë parasysh që pos KEK-ut, fabrikave e veturave, ndotja e ajrit po vjen edhe nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje, ne kërkuam që institucionet gjegjëse qeveritare te punojnë në gjetjen e alternativave për ngrohje dhe të fillojmë të reduktojmë përdorimin e thëngjillit”, ka shtuar ministrja e Mjedisit.

“E di që përdorimi i thëngjillit ka kosto më të ulët, por disa herë e kam thënë dhe po e potencoj sërish që kostoja për shërim nga sëmundjet që vijnë nga ndotja e ajrit është shumë më e lartë”, ka përkujtuar ministrja Albena Reshitaj.

Gjithashtu, ministrja përkujton për një takim që ka pasur me kryetarin e Komunës së Prishtinës, me të cilin thotë të jenë pajtuar së që në periudhat kohore kur ka tejkalime të mëdha të normave të lejuara të ndotjes së ajrit, të reduktohet qarkullimi i veturave në disa lagje duke bërë pa pagesë transportin publik, gjë që shumë shpejt, shpreson ajo, që do të realizohet.

“Veturat e shumta, KEK-u, përdorimi i thëngjillit (madje edhe gomave) për ngrohje, kushtet e pa favorshme atmosferike, janë faktorët kryesor të ndotjes së ajrit. Ne duhet të punojmë me përkushtim dhe pandërprerë, jo vetëm kur ballafaqohemi me situatën, por të krijojmë një vetëdijesim që angazhimi ynë si institucione dhe shoqëri dhe aplikimi i strategjisë për mbrojtje të mjedisit të jetë i përhershëm”, thuhet në postimin e ministres.

Në emisionin “Jeta në Kosovë“, i cili iu kushtua diskutimit mbi alternativat për ngrohje dhe ndotjes së ambientit, ministrja Albena Reshitaj kishte folur për masat emergjente që ka marrë si ministre për të evituar ndotjen e ajrit.

Ajo kishte theksuar se po planifikojnë planifikojnë mënyra për të zgjeruar ndalesën e qymyrit, bie fjala në institucione shkollore.