Reagon edhe Këshilli i Nxënësve në lidhje me abuzimin e 16 vjeçares

Këshilli i Nxënësve të Kosovës ka dënuar rastin e abuzimit seksual të 16 vjeçares nga Drenasi nga mësimdhënësi i saj e më pas nga polici hetues.

“Ne si Këshill i Nxënësve të Kosovës – strukturë përfaqësuese e nxënësve të gjitha shkollave të mesme në Kosovë në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar (KYC), organizatën nën ombrellën e së cilës funksionojmë konsiderojmë që ngacmimi dhe shfrytëzimi seksual nga ana e mësimdhënësit dhe policit hetues duhet të dënohet, dhe drejtësia të vihet në vend.  Jo rrallë herë nxënësit/et, janë viktima të dhunës qoftë fizike, psikike/emocionale dhe seksuale ushtruar kundrejt nesh nga hisedarë të ndryshëm në institucione ku presim të edukohemi dhe mbrohemi”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje KYC thotë se nxënësit janë të shqetësuar dhe të tmerruar nga ky rast.

Ky rast ka tejkaluar çdo konsideratë dhe ndjejmë nevojë të ju rikujtojmë që përjetimet e tilla nuk tolerohen. Andaj ju lutemi dhe ju ftojmë duke pasur gjithmonë në konsideratë ndjeshmërinë e moshës dhe pamundësinë për të u mbrojtur, të ndërmerreni masa dënuese për secilin që cenon sigurinë tonë. Ne jemi nën përgjegjësinë tuaj, dhe nën këtë përgjegjësi presim të na keni prioritet dhe të mos lejoni ushtrim dhune (seksuale, fizike, psikike). Ju e keni për detyrim të na ofroni fuqi për të reaguar ndaj çdo padrejtësie, e jo frikë për të njohur dhe mbrojtur mirëqenien tonë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, të martën u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht fillimisht nga profesori Sh.Xh. dhe nga hetuesi policor V.V., ky i fundit e kishte lënë shtatzënë vajzën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.

Ndërkaq, sot qindra qytetarë janë mbledhur para stacionit të Policisë në Prishtinë, kurse nesër pritet të mbahet në komunën e Drenasit prej orës 12:00.