Reagojnë përsëri Xhaferi e Bahtiri për deklaratën e ministrit Ismaili

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë reaguar përsëri ndaj deklaratës së ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Gjatë ditës së sotme ministri Ismaili kishte shkruar se konkursi është shpallur nga ShSKUK dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë.

“Bahtiri dhe Tahiri bëjnë mirë të mos përzihen në kompetencat e drejtorit të ShSKUK-së. Ky është presion që bëhet për t’i ruajtur interesat e tyre. Por, i siguroj që të dy, dhe këdo tjetër, se nuk do të ketë dorëzim në luftimin e krimit dhe në qëllimin e mirë që më në fund të kthehet mbarë shëndetësia”, ka shkruar Ismaili në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa, për  gjendjen e keqe në  sistemin shëndetësor, Ismaili ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“E dimë të gjithë rrëfimin për shëndetësinë e udhëhequr nga LDK gjatë mandatit të kaluar qeverisës. E kanë shtrirë atë përtokë. E di se do të marrë kohë për ta çuar në këmbë. Por, punët e mira kanë nisur dhe ato do të vazhdojnë”, ka theksuar Ismaili.

Në reagimin e kryetarit të Mitrovicë për deklaratën e ministrit Ismaili thuhet se deklarata nuk është asgjë më shumë se sa vërtetim i asaj që dy kryetarët e kanë ngritur si shqetësim.

“Pra, ministri Ismaili në asnjë pjesë të deklarimit të tij nuk e demanton politizimin e spitaleve, por që merret me përhapje të “mjegullës” përmes hapjes së disa temave të tjera”, ka shkruar Bahtiri.

Ai më tej ka shtuar se “kush po dëshiron politizimin e sistemit shëndetësor, kjo po shihet dhe nuk do koment më shumë”.

Bahtiri përsëri i ka bërë thirrje kryeministrit, presidentit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për anulimin e dy konkurseve që sipas tij janë të montuara nga PDK-ja përmes ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kurse nga ana tjetër kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se Uran Ismaili është gjeneratë e re në PDK por me mentalitet të vjetër.

“Po mburret për politikat e PDK-së në shëndetësi: politika të dallavereve, të shndërrimit të spitaleve në strehë për të dënuarit për krime, të krijimit të një industrie mafioze të barnave, të nepotizmit, korrupsionit e shkeljes së dinjitetit të atyre punëtoreve shëndetësor që jane meritorë. Këto janë politikat e PDK-së në shëndetësi”, ka shkuar Tahiri në Facebook.

Tahiri e ka sfiduar ministrin Ismaili që të merr në nivel të MSh-së vendimin që ai e ka marrë në Vushtrri: ndalimin e reklamimit të kompanive farmaceutike në objektet shëndetësore brenda orarit të punës.

“Por nuk mund ta bëni sepse jeni në shërbim të tyre”, ka shkruar Tahiri.

E gjithë kjo polemikë ka filluar pasi kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe ai i Vushtrrisë në një reagim të përbashkët kanë shprehur shqetësimin e tyre për procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të spitaleve në këto dy komuna.

Në reagimin e dy kryetarëve thuhej se Partia Demokratike e Kosovës po synon dëmtimin e sistemit shëndetësor.

“Qëllimi i PDK-së që përmes ministrit Uran Ismajli të vendosen në krye të Spitalit të Mitrovicës dhe të Spitalit të Vushtrrisë persona që janë anëtarë të subjektit politik PDK, apo edhe familjarë të tyre, e që nuk vijnë nga fusha e shëndetësisë, tregon se kjo parti ka qëllim primar kapjen e pozitave kyçe në shëndetësi dhe përmes tyre kontrollimin dhe presionin ndaj personelit shëndetësor”, thuhej në reagimin e kryetarëve.

Kryetarët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përmes reagimit të tyre kanë kërkuar rishikimin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve.