Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Reagimi i 'vonuar' i presidentit për ftesat e Speciales

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, për disa ditë me radhë nuk doli me asnjë reagim për ftesave që iu janë bërë ish pjesëtareve të UÇK-së, nga Gjykata Speciale.

KALLXO.com, i ka drejtuar pyetje paraditen e së enjtes zyrës së presidentit për të marr qëndrimin e tij sa iu përket këtyre ftesave.

Por, pasdite Thaçi, kishte bërë reagim në profilin e tij në Facebook, pikërisht për këtë çështje duke kërkuar nga të ftuarit që t`i përgjigjen pozitivisht ftesave dhe të mos i ikin drejtësisë.

“Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë. Edhe sot, në situatën e re të krijuar, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet t’i ruajë dhe kultivojë vlerat fisnike prej luftëtari, duke iu përgjigjur Dhomave të Specializuara me korrektësi qytetare dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Analisti politik Agron Halitaj, ka thënë për KALLXO.com se vonesa e presidentit, Hashim Thaçi, në kohën kur Prokuroria Speciale e Hagës po i fton disa prej figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e nënkuptueshme.

Halitaj tha se Thaçi edhe mund të bëjë ndonjë reagim, por ai reagim do të jetë në harmoni me qëndrimet e mëhershme të tij karshi Gjykatës Speciale.

Halitaj, ka treguar se vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale është marrë pikërisht në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër. Sipas tij edhe pas vendimit për themelimin e kësaj gjykate, Thaçi ka insistuar që Kuvendi ta miratonte Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special.

“Aq shumë e ka shtyrë përpara këtë proces, saqë njëherë e ka kushtëzuar edhe shpërbërjen e Kuvendit, me miratimin e bazës juridike të funksionimit të Speciales. Kjo që po ndodhë tani, në fakt është pritur të ndodhë shumë më herët, por arsyet pse nuk na ndodhur kjo gjë, mund të jenë më tepër politike”, tha Halitaj.

Ligji për Specialen sipas Halitajt nuk e amniston nga ndjekja as presidentin e shtetit.

Ndërkaq, se a mund të jetë edhe presidenti i ftuar nga Prokuroria Speciale Halitaj tha se nuk mund ta dimë.

“Se a do të jetë edhe ai i ftuar nga Prokuroria Speciale këtë nuk mund ta dimë me siguri të plotë. Ajo që dihet është se Ligji për Specialen, nuk e amniston nga ndjekja as presidentin e shtetit”, tha ai.

Halitaj shtoi se as presidenti nuk e ka të sigurtë që nuk do të thirret nga Specialja.

“Fakti që ekspertët e Bashkimit Evropian si përpilues të ligjit e kanë futur një klauzolë të tillë, ndërkohë që autoritetet e Kosovës kanë qenë të pafuqishme për ta ndryshuar qoftë edhe një presje në ligj, lë hapësirë për të dyshuar se as presidenti nuk e ka të sigurt se nuk do të thirret nga prokuroria”, tha Halitaj.

Halitaj kishte thënë se reagimi i presidentit ndaj ftesave të Gjykatës Speciale që në një formë do të jetë në frymën e reagimit që bëri edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

E kryeministri me 12 dhjetor kishte thënë se askush nuk guxon t’i shmanget drejtësisë duke shtuar se qeveria do ti ofrojë mbrojtjen juridike të gjithë luftëtareve të lirisë.

Haradinaj në një deklaratë tjetër kishte thënë se nuk i bëjnë përshtypje të mëdha ftesat e fundit që Prokuroria e Specializuar e Hagës i ka dërguar për intervista disa personaliteteve në Kosovë.

https://kallxo.com/thaci-u-ben-thirrje-te-ftuarve-te-speciales-te-mos-ikin-nga-drejtesia/

.