Foto: Atdhe Mulla

Reagimi dhe përgjigja qesharake e Shqiprim Arifit ndaj pyetjes së KALLXO.com

Kryetari i Komunës së Preshevës nuk ka qenë në gjendje të ofrojë përgjigje nëse ideja për rezolutë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën vjen nga përfaqësuesit e luginës apo presidenti Hashim Thaçi.

Ai ka vendosur që në mënyrë arrogante ta injorojë pyetjen e  gazetarit të KALLXO.com, Taulant Osmani, i cili ka adresuar pyetje për të kuptuar drejt dhe saktë qëllimin e kësaj iniciative duke kërkuar sqarime nëse propozimi ka ardhur nga lugina apo nga presidenti Thaçi.

“Sa vjet i ki ti? Sa vjeçar je? Duhet me pas një nivel për me kuptu inteligjencën e dikujt a ka bo diçka vet apo nuk e ka bo diçka vet? Nëse do me na ofendu inteligjencën përmes asaj se kush na ka përgatitë këtë, se na veç e kemi nënshkru edhe hajt, atëherë unë s’po e di ku jemi”, tha Arifi pas pyetjes së parashtruar nga KALLXO.com.

Këto komente arrogante janë bërë në konferencën për shtyp ku Arifi nuk ka pasur përgjigje se prapa kujt janë duke qëndruar idetë për një rezolutë nga kuvendi i Kosovës për bashkimin e tri komunave të Luginës së Preshevës me Kosovën. Ai madje ka tentuar që duke folur në gjuhën frënge ta shmangë përgjigjen e cila kërkohej për të sqaruar se nga burojnë idetë për rezolutë dhe faktin pse rezoluta është diskutuar me presidentin e jo me Kuvendin e Kosovës.

“Tash është një momentum tjetër, ku të gjithë shqiptarët duhet pak të reflektojmë më ndryshe, të mos nisemi nga e kaluara, që ta paragjykojmë të ardhmen”, ka deklaruar Arifi.

Në fakt, çdo paragjykim për të ardhmen duhet të bazohet në ngjarjet e ndodhura në të kaluarën, nëse pretendojmë që paragjykimi ta kemi të saktë kur bëhet gjykim.

Si rrjedhojë e qasjes negative të Arifit, KALLXO.com dhe qytetarët e vendit nuk kanë marrë përgjigje në pyetjet mjaft të rëndësishme.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga përfaqësuesit e tjerë të Luginës nëse ata kanë një qasje të tillë negative për mediat të cilat kërkojnë sqarime.

Deklarime të tilla në raport me mediat vlerësohen presion dhe tendencë për të penguar punën e gazetarëve dhe tentativa që duke krijuar skandale të paqena politikanë të shmangin përgjegjësinë për të dhënë sqarime para publikut.

KALLXO.com vlerëson se pyetja e gazetarit ka qenë profesionale me vend dhe nuk ja ka ofenduar inteligjencën  Arifit. Tendenca e tij për të ikur nga përgjigjet me kundër pyetje është papranueshme.