Reagimet e VV-së Pas Dënimit të Katër Aktivistëve

Drejtues dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur në mediat sociale zhgënjimin e tyre rreth vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e katër aktivistëve të tyre, të cilët akuzohen për terrorizëm në rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Beqir Kalludra, u shqiptoi sot Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës dënime në total prej 21 vjet e gjysmë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në rrjetin e tij social Facebook, ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore, vendim i cili shpalli fajtor aktivistët e LVV-së, për sulmin ndaj kuvendit.

Sipas Kurtit, vendimi për dënimin e aktivistëve erdhi pa pasur fakte, prova dhe argumente.

“Astrit Deharin e mbytën në burg, ndërsa katër aktivistët e tjerë i dënuan me 21 vjet e gjysmë burg. Pa fakte, pa prova, pa argumente. Nuk ka pasur nevojë të na e përkujtojnë që e kanë pushtetin. Mbase po ia përkujtojnë vetvetes, tash që e kanë humbur popullin, para se ta humbin edhe pushtetin. Lëvizja nuk ndalet dhe jemi më të fuqishëm se kurrë”, thuhet në postimin e Kurtit.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një postim në rrjetin e tij social në Facebook ka shkruar se drejtësia do të vihet në vend.

“Është e thjeshtë. Ekipi i njëjtë i prokurorëve e gjykatësve ka mbajtur edhe Astritin ne paraburgim padrejtësisht, e Astriti në paraburgim ka humbur jetën.

Po ti shpallnin të rinjtë sot të pafajshëm, ata do të shpallnin vetën fajtor për vdekjen e Astritit. Në mes vetës dhe të rinjve, ata dënuan këta të fundit. Drejtësia do të vihet në vend kurdoherë!”, thuhet në postimin e Ahmetit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, gjatë një konference para gazetarëve vendimin e cilësoi si ‘politik” për dënimin e katër aktivistëve të saj nën akuzën për terrorizëm.

“Vendimi i sotëm e dëshmoi që ky rast është kryekëput politik. Dënimet e larta pa pasur asnjë provë materiale ose verbale”, tha Ymeri.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një postim në rrjetin e saj Facebook, ka shkruar se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kriminalizuar.

“Ky sistemi jonë i drejtësisë më së paku ka sjellë drejtësi. Ky sistem është aq kriminal saqë i dënon të pafajshmit dhe zmbrapset para krimineleve e te korruptuarve!”, shkruhet në postimin e Haxhiut.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë e shpalli aktgjykimin ndaj katër të dyshuarve për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.

Prokurori Abdurrahim Islami është shprehur i kënaqur me vendimin e Gjykatës. Ai ka thënë se që nga fillimi kanë qenë të bindur në fajësinë e të akuzuarve.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Atdhe Arifi, Petrit Ademi dhe Astrit Dehari, janë akuzuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Më 5 nëntor të vitit të kaluar, aktivisti Astrit Dehari u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Për Deharin u mbajtën marshe e protesta, duke u kërkuar drejtësi për vdekjen e tij.

Seanca fillestare e këtij gjykimi u zhvillua më 25 janar, ndërsa atë ditë të akuzuarit u veshëm me bluza me fotografitë e Astrit Deharit.

Më 25 janar u kërkua përjashtimi i prokurorit dhe Prokurorisë Speciale nga ky gjykim, por një kërkesë e tillë u refuzua.