Arkiv - Gjykimi i mjekëve në Rastin "Stenta" | Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Stentat’ vazhdon sot në gjykatë

Gati një muaj pasi që Gjykata e Apelit refuzoi ankesat e mbrojtësve të Ferid Aganit dhe Ganit Shabanit, në lidhje me hedhjen e aktakuzave, sot  është paraparë të mbahet seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor kryesor.

Gjykata e Apelit të Kosovës kishte  refuzuar ankesat e mbrojtësve të Ferid Aganit dhe Gani Shabanit ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin ishin refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Me këtë vendim të Gjykatës së Apelit ishte konfirmuar aktakuza ndaj ish- ministrit të shëndetësisë dhe ish sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie në rastin ‘Stentat’.

Lajmin e refuzimit të kërkesës e kishte konfirmuar  për Kallxo.com, zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ata  ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në seancën fillestare të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti.

Gjykata Themelore, aktakuzën kundër ish-ministrit Agani dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Stenta” e kishte konfirmuar edhe në korrik të vitit të kaluar, mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rivendosje.

Aktakuza në rastin “Stenta”, ishte ngritur në qershor të vitit 2016.

Në këtë rast të akuzuar janë r janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor ndërsa për të menaxhuar me lehtë me rastin, që nga ky vit, gjyqtarja e rastit Shadije Gërguri e ka ndarë në tri pjesë këtë lëndë.

Pjesë e këtij aktakuze ishin edhe  ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Ky rast është njëri prej rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave. BIRN dhe Internews Kosova në mars të këtij viti publikuan gjetjet nga rastet e shënjestruara ku u evidentuan vonesa serioze në trajtimin e këtyre rasteve.

Rasti “Stenta”, ishte njëri prej këtyre rasteve ku nga viti 2016 ende nuk është kaluar në shqyrtim gjyqësor kryesor.