Rasti Stenta - ish ministri Ferid Agani në Gjykatë - FOTO KALLXO - 22.11.2018
Rasti 'Stenta' dëgjohen ekspertët
Në gjykimin ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretarit të ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani në rastin e njohur si “Stentat“, në cilësi të eksperteve u dëgjuan ekspertja e prokurimit Arbënore Cakolli, dhe eksperti financiar Milaim Aliu.
Ekspertja Canolli deklaroi se pas kërkesës së njësisë hetuese të krimeve KRPP-ja, ka bëre interpretimin e ligjit të prokurimit publik, dhe ka konkluduar se Ministria e Shëndetësisë është autoritet publik, kontraktues siç përkufizohet me nenin 4 të ligjit të prokurimit.
Në pyetjet e prokurores Florie Salihu, se subvencionet a i nënshtrohen procedurës së prokurimit, ekspertja deklaroi se subvencionet janë mjete të cilët nuk i nënshtrohen procedurës së prokurimit, pasi që rregullohen me ligj të veçantë.
Ajo deklaroi se Ministria ka qenë e obliguar t`i respektojë procedurat e prokurimit nëse me ligj të veçantë nuk është përcaktuar ndryshe.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ferid Agani, avokati Adem Vokshi pyeti eksperten se interpretimi i KRPP-së, a është mbështetur në dy marrëveshjet e Ministrisë, ndërsa dëshmitarja deklaroi se interpretimi është kryer vetëm në bazë të dispozitave të ligjit e jo të marrëveshjeve.
Pas saj në cilësi të ekspertit u dëgjua Milaim Aliu, ai deklaroi se marrëveshjet konsiderohen kontrata publike, të cilat i takojnë më shumë lëmisë së prokurimit publik.
Aliu tutje tha se kategoria e subvencioneve nuk i nënshtrohet procedurave të prokurimit publik, dhe se ato kontrollohen përmes auditimit, për të cilën nuk kam shumë dijeni, por që për to mund të flas eksperti i departamentit të thesarit.
Pas kësaj pala mbrojtëse dhe prokurorja Speciale Florie Salihu kërkuan që të dëgjohet edhe eksperti nga departamenti i thesarit.
Propozimet e tilla morën aprovimin e trupit gjykues të përbërë nga gjykatëset Shadije Gërguri, Violeta Nimani dhe gjykatësi Mustafë Tahiri.
Në shqyrtimin e ardhshëm gjyqësor pritet që mbrojtjen ta japë ish-ministri Ferid Agani.
Procedura ndaj Aganit dhe Shabanit është veçuar me qëllim që gjykata të optimizojë procedurën.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.
Në rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.
Sipas aktakuzës, Ferid Agani dhe Gani Shabani i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni në këtë LINK.