Arkiv - Gjykimi i mjekëve në Rastin "Stenta" | Foto: KALLXO.com

Rasti 'Stenta 2' - Dështon seanca, gjykatësja e zënë me intervistë për Departamentin Special

Dështon të mbahet seanca gjyqësore ndaj mjekëve të akuzuar për vepra penale të keqpërdorimit të pozitës në rastin “Stenta 2”.

Kjo për shkak se kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri ka qenë e angazhuar në procesin e intervistimit për përzgjedhjen e gjykatësve për Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila është kandidate.

Lajmin për Kallxo.com e ka bërë të ditur sekretari ligjor i zyrës së gjykatëses Arianit Mahmutaj.

https://kallxo.com/deshmitari-na-thane-qe-ne-qkuk-nuk-i-vendosin-stentat-na-derguan-ne-spitalin-turk/

Në këtë rast të akuzuar janë 44 mjekë, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Elfedin Muhaxheri, Nehat Rexhepaj, Nexhmi Zeqiri, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Perihane Sefa, Masar Gashi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Murat Abazi, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në seancën fillestare gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

I akuzuar në këtë rast ishte edhe Ferid Susuri, por ndaj tij ishte veçuar procedura në dhjetor të vitit të kaluar për arsye shëndetësore.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv.

Kurse po vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private.

Të akuzuarit në këtë rast “Stenta 2” nga Prokuroria Speciale ngarkohen për veprat penale të keqpërdorimit te pozitës dhe marrje të ryshfetit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

 

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.