Foto: Daily Mail/RTV 21

Rasti 'Luani': Policia ndërhyn në 'Kopshtin e ferrit' në Fier për t'i shpëtuar kafshët

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi ka reaguar pas artikullit të medias britanike Daily Mail në lidhje me gjendjen e keqe të kafshëve në Kopshtin Zoologjik në Fier të Shqipërisë.

Ministri Klosi ka njoftuar se ka filluar një aksion nga Inspektoriati i Mjedisit në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve kanë vendosur të zhvendosin kafshët për t’i mbrojtur ato.

“Në përgjigje të lajmit të publikuar në Daily Mail dhe dhjetëra mesazheve për situatën e papranueshme, ku jetojnë disa kafshë në një kopësht zoologjik privat në Fier, urdhërova urgjentisht nisjen e një aksioni nga Inspektorati i Mjedisit, i cili në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve kanë vendosur të zhvendosin kafshët me qëllim marrjen e tyre në mbrojtje nga kjo e fundit.

Foto: Blendi Klosi/Facebook

Aksioni do të vijojë edhe nesër deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj ngjarje të turpshme”, ka shkruar ministri Klosi në profilin e tij në Facebook.

Në kopshtin e ferrit, luani me një sy të infektuar lëngon në një kafaz të pistë bashkë me zebrat dhe ujqërit në Shqipëri, kishte shkruar dje, Daily Mail.

Dailymail shkruan se fotografitë u realizuan nga një fotograf anonim, i cili i publikoi për t’i ekspozuar kushtet ku jetojnë këto kafshë.

Imazhet tregojnë luanët dhe kafshët e tjera që lëngojnë në kafaze të shkreta dhe të pista, të rrethuar nga mbeturinat e tyre ku i mungojnë dhe elementet themelore si uji i freskët dhe hija.

Media britanike: Kopshti i ferrit në Shqipëri, luani mezi mbahet në këmbë