Rasti Ivanoviq, prokurori Sylë Hoxha nuk e mohon se Milan Radoiçiq është i dyshuar

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha në konferencën e jashtëzakonshme tha se para aksionit për arrestimin e personave të dyshuar lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq tha se Prokuroria Speciale nga muaji mars ka grumbulluar prova dhe ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve.

“Rasti i ndodhur na është dorëzuar për hetim me 13 mars 2018. Prej atëherë  Prokuroria Speciale, kemi grumbulluar prova rreth këtij rasti. Kemi hasur edhe në vështirësi, megjithatë i kemi dëgjuar një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve, kryesisht nga pjesa veriore e vendit. Prokuroria Speciale në ndërkohë ka mar aktvendim për fillim të hetimeve me 26 dhjetor të këtij viti, ndaj të pandehurve: N.S., S.A., M.R. dhe D.M. për veprën penale të vrasjes së rëndë”, tha ai.

Ndërkaq, sipas prokurorit, me 06.11.2018 është marr aktvendim për zgjerim të hetimeve kundër M.R. për veprën penale vrasje e rëndë.

“Me 20.11.2018 është marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve kundër personit M.R. për veprën penale vrasje e rëndë. Më datë 20.11 2018 prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale ka lëshuar kërkesë për urdhër të bastisjes ndaj shtëpive dhe veturave të të dyshuarve”, tha ai.

Prokurori Hoxha u pyet nga KALLXO.com nëse i dyshuari M.R. është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Hoxha tha se nuk mund të japin detaje për të mos penguar hetimet.

“Për hir të hetimeve në këtë fazë shkojmë vetëm me iniciale. Jemi duke zhvilluar hetime ndaj personave të dyshuar që kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviq. Kemi dyshim të bazuar që të vazhdojnë hetimet edhe ndaj këtij personi”, tha prokurori.

LINK