Rasti i zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me '50 shades of gay' mund të kalojë në Prokurorinë Speciale

Rasti i zyrtari të Ministrisë së Drejtësisë, i cili përmes një statusi në Facebook dyshohet se  kishte kërcënuar ekipin e shfaqjes “55 shades of gay’ të Qendrës multimedia mund të kalojë në  duart e Prokurorisë Speciale.

Ibrahim Berisha, prokurori përgjegjës për media në Prokurorinë Themelore të  Prishtina, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com, ky rast me kërkesë të prokurorit të rastit mund të kalojë për shqyrtim te Prokuroria Speciale.

“Prokurori i rastit ka bërë kërkesë që lënda të kalojë në prokurorinë speciale për shkak se kemi të bëjmë me nxitje të urrejtjes, kombëtare, fetare, racore, siç e parashohin edhe depozitat ligjore në këtë për këtë çështje”, ka thënë Berisha, duke shtuar se personi në fjalë vazhdon të jetë në mbajtje.

Në anë tjetër Ministria e drejtësisë në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kjo ministri ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj punëtor të saj Xheladin Krasniqi.

“Ju njoftojmë se z. Xheladin Krasniqi mban pozitën Zyrtari i Lartë i Arkivës dhe ndaj të njëjtit është iniciuar procedurë disiplinore, më ç’rast Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Drejtësisë, pas shqyrtimit të çështjes, do të vendosë në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi” , thuhet në përgjigjen e MD, për këtë rast.

Lidhur me këtë rast kishte reaguar edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kossnet.

“Vlerësoj deklaratën e Ministrit të Drejtësisë duke theksuar se nxitja e urrejtjes dhe diskriminimit është e papranueshme në #Kosovë. I lumtur për të parë hapat e parë drejt llogaridhënies në këtë rast”, shkroi Kossnet në Twitter.