UP - Rektorati

Rasti i përkthimit të librave në UP, për të dytën herë në Gjykatën e Apelit

Për të dytën herë Gjykata e Apelit e ka shqyrtuar rastin e përkthimit të librave të Universitetit të Prishtinës, në të cilin për mashtrim në detyrë po akuzohen Albert Ragipi dhe Hakif Veliu.

Bashkë me Ragipin dhe Veliun i akuzuar ishte edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Tre të akuzuarit pas mbajtjes së gjykimit në shkallë të parë ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar për mashtrim në detyrë.

Enver Hasani ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht ndërsa Ragipi dhe Veliu ishin dënuar me nga gjashtë muaj burg, masë e cila iu ishte zëvendësuar me gjobë prej 10 mijë euro.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, avokatët mbrojtës dhe prokurorja e shtetit kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Duke vendosur sipas ankesave në maj të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte shpallur të pafajshëm ish-rektorin e UP-së, Enver Hasanin, ndërsa dy të akuzuarve Albert Ragipit dhe Hakif Veliut ua kishte ashpërsuar dënimin  në nga 1 vit burg.

Prokurorja Speciale Drita Hajdari e pakënaqur me vendimin e Apelit kishte paraqitur mjete të jashtëzakonshme në Gjykatën Supreme të Kosovës, njëjtë kishin vepruar edhe avokatët mbrojtës të Albert Ragipit dhe Hakif Veliut.

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e kishte vërtetuar pafajësinë e Enver Hasanit, ndërsa për dy të akuzuarit e tjerë rastin ia kishte kthyer Apelit për rivendosje për shkak të shkeljeve procedurale me rastin e mos njoftimit për mbajtjen e kolegjit.

Prokurorja Speciale akuzon Hakif Veliun se si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN, kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkëkryerje lidhur me rastin e realizmin e kontratës për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Bashkë me ta Prokuroria Speciale e akuzonte edhe ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin i cili në kohën kur kishte ndodhur rasti ishte rektor i Universitetit të Prishtinës.

Kontrata e lidhur në mes të UP-së dhe ISN-në mbante datën 5 dhjetor 2012, ndërsa vlera e përgjithshme e saj ishte 500 mijë euro dhe çmimi i pagesës ishte përcaktuar 12,65 euro për 1000 fjalë.

Prokuroria pretendonte se 3 ditë pasi që ishte nënshkruar kontrata, zëvendësdrejtori i ISN-së, Jorgji Qirjako i kishte dërguar rektorit Enver Hasani një kërkesë për ndryshimin e kontratës nga njësia matëse “fjala” në njësinë matëse “karaktere”, ndërsa pastaj i akuzuari Hakif Veliu sipas marrëveshjes me Enver Hasanin, kanë përpiluar një kontratë të re me të cilën kanë ndryshuar nenin 17 të kontratës origjinale të datës 5 dhjetor 2008.

Në aktakuzën e prokurores Drita Hajdari thuhej se pikërisht neni 17 ishte ndryshuar në atë formë që në vend të çmimit 12.65 euro për 1000 fjalë, ishte shënuar çmimi 12.65 euro për 1000 karaktere duke i mundësuar kështu ISN-së, përfitim më të madh për sasinë e njëjtë të shërbimit dhe për të sjellë në lajthitje personat e autorizuar të UP-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Hakif Veliu, në kontratën e falsifikuar ka mbajtur numrin dhe datën e kontratës origjinale dhe atë kontratë ish-rektori Enver Hasani më datë 13 dhjetor 2008  sipas prokurorisë e kishte dërguar në Tiranë për ta nënshkruar i akuzuari Rakipi.

Sipas kontratës së ndryshuar, prokuroria pretendon se më 13 korrik 2009 është dërguar në UP fatura për përkthimin e 8 librave me çmim prej 78.999,25 euro e llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, e që sipas kontratës origjinale do të kishte kushtuar 14.991, 91 euro.

Aktakuza përshkruante se i akuzuari Rakipi në fatura e ka shënuar shenjën 1000/F, gjë që tek anëtarët e Komisionit të UP-së për pranimin e materialit të përkthyer, ka krijuar lajthitje se llogaritja e përkthimit është bërë me njësinë matëse “fjala” dhe kështu ky komision ka rekomanduar ekzekutimin e pagesës.

Prokurorja Drita Hajdari, pretendon se si rezultat i ndryshimit të kontratës origjinale, ISN siguroi një përfitim të kundërligjshëm financiar në shumë prej 70 mijë eurove.

Gjatë fjalës përfundimtare në gjykatën e shkallës së parë prokurorja Speciale Drita Hajdari rastin e ish-rektorit Enver Hasani, e kishte konsideruar si rast të “jakave të bardha”.

Gjatë rishqyrtimit të rastit nga ana e Gjykatës së Apelit për dy të pandehurit Ragipi dhe Veliu, mbrojtësi i këtij të fundit, avokati Durim Osmani deklaroi se ishte pikërisht Veliu personi i cili e kishte paraqitur rastin i cili më pas kishte rezultuar me kallëzim penal.

“Në bazë të provave rezulton se rasti është paraqitur nga i mbrojturi im tek rektori i asaj kohe sa i përket dy faturave në vlere prej 320 mijë euro dhe zbulimi i rastit ka vazhduar nga ky fakt çka ka rezultu edhe me kallëzim penal”, tha avokati.

Ndërsa vet i akuzuari Veliu deklaroi para gjykatës se asnjëherë nuk e ka keqpërdorur pozitën e tij.

“Prej 2005 në asnjë rast nuk e kam keqpërdorë detyrën zyrtare, nuk i kam keqpërdorë mjetet e buxhetit të Kosovës, ky rast ka ndodh po i besoj drejtësie”, pati thënë Veliu.

Mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ragipi, avokati Artan Qerkini deklaroi se u qëndron pranë kundërshtimeve të mëparshme dhe kërkojë lirimin e Ragipit nga akuza.

“Unë kërkoj nga ky kolegj që në raport me zotin Albert Ragipi të sjell aktgjykim lirues”, tha Qerkini.