Rasti i HIB Petrolit për naftën jocilësore kthehet në rigjykim

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj HIB Petrol.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Arianit Koci.

“Po, është e vërtetë, Apeli e ka kthyer në rigjykim”, tha Koci për KALLXO.com

Në maj të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin sipas të cilit Kujtim Bucaliu dhe HIB Petrol Sh.P.K, u gjetën fajtorë për mashtrim të Komunës së Prishtinës me naftë jocilësore.

Kujtim Bucaliu ishte dënuar me dënim unik prej 4 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë eurove.

Ndërsa përfaqësuesit juridik të HIB Petrol Sh.P.K. Shkelzen Hetajt Gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me gjobë në vlerën prej 30 mijë eurove.

Po ashtu, Gjykata ka vendosur që të konfiskohet edhe autoboti për naftë pronë e kompanisë HIB Petrol Sh.P.K. që furnizoi me naftë jocilësore.

Sipas aktakuzës, Kujtim Bucaliu si personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, në intervalin kohor prej 8 shkurt të vitit 2012 e deri më 30 janar të vitit 2014, pas nënshkrimit të kontratës kornizë publike e lidhur në mes HIB Petrol Sh.P.K dhe të dëmtuarës Komunës së Prishtinës për furnizimin e 44 institucioneve edukative-arsimore brenda territorit te komunës se Prishtinës me naftë për ngrohje dhe gjeneratorë, tani i pandehuri, personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K me vetëdije ka mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të fondeve publike.

Në aktakuzë thuhet se personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, gjatë ekzaminimit te kontratës se lartcekur, pasi paraprakisht ka siguruar vajra gazore për ngrohje nga burime të paidentifikuara, me anë të paraqitjes se rreme të fakteve përmes fletëpagesave lidhur me përmbajtjen dhe cilësinë e naftës sipas specifikacioneve të kontratës së lartcekur e mashtron dhe e nxit Komunën e Prishtinës që të veprojë në dëm të pasurisë së saj, duke i ofruar produktin e naftës që nuk përkon me kriteret dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës të paraparë për vlerën e konformitetit të lëndës djegëse, në këtë mënyrë duke kaluar deri në 80 herë më shumë prezencën e sulfurit në naftë duke i shkaktuar kështu dëm në shkallë të madhe të dëmtuarës – Komunës së Prishtinës.

Me anë të këtyre veprimeve, Kujtim Bucaliu akuzohet për veprën penale të mashtrimit si dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K për mashtrim të blerësve.

Ky gjykim është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.