Gjykimi per krim te organizuar - rast i shenjestruar

Rast i shënjestruar- Gjykimi ndaj 19 të akuzuarëve për kontrabandë, japin dëshminë dy ekspertë

Në gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar seanca e gjykimit në rastin e shënjestruar për liberalizimin e vizave ndaj 19-të të akuzuarëve për veprat penale të cilat lidhen me krimi të organizuar

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurit Milan Radisavleviq dhe Aleksandër Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012-të kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të ekspertëve nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve.

Ekspertiza financiare në këtë rast prezantohet nga ana e ekspertëve Shaban Bahtiri dhe Xhevdet Krasniqi.

Pas pyetjes së avokates Fitore Ahmeti, e cila në këtë gjykim e mbron të akuzuarin Sabri Hasani, se a e kishin parë ekspertët mallin në stoqet e konfiskuara dhe a e dini cili është ai mall si dhe kush ishte  prodhues i tij, ekspertet kanë treguar se nuk e kanë pasur për detyrë me i hulumtu detajet e prejardhjes se mallit që nënkupton se nuk e kishin bërë shikimin e mallit.

Po ashtu ekspertet nga avokatja Ahmeti u pyeten se në bazë të cilave fatura apo të dhënave tjera eventuale kanë ardhë në përfundim se kanë të bëjnë me mallin e kontrabanduar me qëllim të shmangies doganore dhe pastaj t`ia përcaktonin edhe vlerën atij malli? Ekspertet kanë thënë se vlerësimet dhe konstatimet i kishin dhënë mbi bazën e dokumentacionit në shkresat e lëndës me theks të veçantë raportet e kontrollit nga ATK të cilat raporte i kishin ekzaminuar me përfaqësuesit e ATK-së si dhe në dokumentacionin e Doganës së Kosovës e mbi këtë bazë kanë dhënë mendimin në ekspertizë.

Ekspertet kanë thënë se i pandehuri Sabit Hasani sipas të gjeturave në ekspertizë ka kontrabanduar mallra në shumë prej 12.828,87 euro, ndërsa si detyrim doganor ka vlerën prej 4783.85 euro.

Këto deklarata ekspertët i kanë dhënë duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues Burim Ademi.

Ndërsa, avokati Besim Shala që në këtë rast e mbron të pandehurin Betim Shala, ka kërkuar nga ekspertët që të tregojnë konkretisht cili lloj i mallit është që dyshohej se është kontrabanduar.

Ekspertët u përgjigjën se në bazë të dokumentit të shërbimit doganor të Kosovës të datës 5 janar 2015 janë të specifikuara mallrat e kontrabanduara pa mbulesë dokumentacioni dhe atë vajra, ujë të destiluar të tri llojeve dhe antifriz, duke shtuar se në dokumentacion është caktuar lloji i mallit por jo edhe origjina.

Kurse të pandehurin Nexhat Mazreku ekspertet kanë thënë që sipas ekspertizës ai nuk ishte pronar i biznesit “ Eko Oli “, biznes ky i cili dyshohet për shmangie nga tatimi.

Derisa u pyetën nga anëtari tjetër i trupit gjykues Avni Mehmeti, se a e dinin nga vinin 500.000 euro në llogarinë private të Nexhat Mazrekut, ekspertët kanë thënë se kanë konstatuar se ka pasur llogari bankare rrjedhëse dhe qarkullimin që është thënë në ekspertizë por nuk e di se nga ka ardhë gjithë ajo shumë e parave.

Në vazhdim duke u përgjigjur prapë në pyetjet e trupit gjykues, ekspertët kanë thënë se shmangia nga tatimi ishte bërë prej  kompanisë “ Eko Oli “, por se nuk bëhej fjalë për të pandehurin Nexhat Mazreku. Kurse sa i përket transaksioneve bankare lidhur me shumën prej 500.000 euro ekspertet kanë shtuar se mbi bazën e provave të cilat i kanë shqyrtuar nuk kanë gjetur ndonjë veprim të shmangies.

Por ekspertet kanë shpjeguar se i pandehuri Nexhat Mazreku në vitin 2012 ka qenë person i autorizuar së bashku me Tarkan Mazrekun në llogarinë bankare të regjistruar në emër të biznesit “Eko Oil “, ndërsa në emër të Nexhat Mazrekut kanë qenë dy llogari bankare me qarkullim 500.000 euro ndërsa në llogarinë e dytë 250.000 euro.

Prej kësaj do të thotë se i pandehuri Nexhat Mazreku ka qenë person i autorizuar në llogarit bankare të biznesit “Eko Oil” kurse pronar i biznesit është Tarkan Mazreku ka shtuar në fund të përgjigjes eksperti.

Pyetje për ekspertet ka pasur edhe mbrojtja e të pandehurit Dem Lokaj, avokatja Shqiponje Ibërdemaj. Ajo ka kërkuar nga ekspertët të shpjegojnë se përse ka pasur ndryshime në mes raportit të doganave dhe atij të ATK-së sa i përket shmangieve lidhur me pompën e benzinës “Migros“.

Por ekspertët kanë thënë se detyrat e tyre kanë qenë të caktuara dhe vlerësimin e kanë dhënë në bazë të shkresave të ekzaminuara të cilat i janë bashkangjitur lëndës dhe se qëndrojnë pranë tyre, duke vlerësuar se ka pasur prova të mjaftueshme dhe këtë e kanë trajtuar me personin përgjegjës- inspektorin e rastit, i cili jua ka ofruar të dhënat, por se me rastin e ekspertizës nuk kanë kontaktuar me të akuzuarin Dem Lokaj që t`i vërtetojnë hyrjet dhe daljet e ndërmarrjes.

Më kërkesën e prokurorit nga Prokuroria Speciale Atdhe Demaj, seanca e planifikuar të mbahej me datën 12 dhjetor në objektin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës – Veri, është shtyrë pasi që prokurori ka njoftuar gjykatën se ishte i zënë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Andaj turpi gjykues me Beqir Halilin kryetar dhe anëtar Avni Mehmeti e Burim Ademi ka njoftuar palët se shqyrtimi i caktuar për datën 12 anulohet, për të vazhduar me datën 13 dhjetor siç ishte caktuar më herët.