Foto: KALLXO.com

Rashkoviq: Në Klinë nuk mungon bashkëjetesa në mes të shqiptarëve dhe serbëve

Silvija Rashkoviq, zyrtare për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Klinës, ka thënë se bashkëjetesa ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nuk mungon as në komunën e Klinës, por nuk është ne nivel të kënaqshëm.

Sipas saj, të rikthyerit serbë në këtë komunë po përballen me grabitje të shumta e që rastet e tyre nuk janë zgjidhur nga organet e rendit.

“Ekziston ajo, edhe te ne, bashkëpunojmë mes vete, madje edhe e kemi edhe një rast pozitiv, të një mishtoreje ku punojnë serbë e shqiptarë, mishtore e përzier. Por kohëve të fundit kemi pasur shumë vjedhje, shumë grabitje, shumë shqetësime, sa që nuk mund të lavdërohemi shumë me bashkëjetesën tonë”, ka thënë Rashkoviq.

Rashkoviq ka shtuar po ashtu se të rikthyerit në Klinë nuk janë të i interesuar të qëndrojnë aty. Ajo ka përmendur shitje tokash nga serbët, për shkak të mungesës së punësimit si dhe numër të vogël të nxënësve.

“Nuk kemi as shumë të interesuar të qëndrojnë aty. Kemi shumë shitje të tokës. Nuk ka mundësi punësimi. E kuptoj që edhe tek komuniteti shqiptar edhe në mjediset e tjera, në përgjithësi, ka probleme me punësim, por tek ne, në tërë komunën i kemi vetëm dy nëpunës serbë. Kjo është shumë pak”, ka shtuar ajo.

Rashkoviq ishte pjesëmarrëse në serinë e debateve #debatpernime të organizuar në Kamenicë për bashkëjetesën etnike ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe romëve.