Rashit Qalaj para Komisionit per Pune te Brendshme... 27.03.2019...

Rashit Qalaj: Kemi dyfishuar numrin e Policëve Special

Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka deklaruar se numri i policëve në Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës është dyfishuar.

Ai këtë e bëri të ditur gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri.

“Procesi i rikonstruktimit ka qenë njëri ndër planet e para që kam marrë. Ka qenë një komision që është marre me to. Kemi qenë të kujdesshëm që të mos bëjmë ndonjë gabim. Procesi ka përfunduar para një jave. Ka qenë proces i mirë, janë bërë disa lëvizje që ka me pas një rezultat të mirë. Jemi duke i fuqizuar edhe me rregullore të brendshme sa i përket disiplinës. Po ashtu kemi bërë rritjen e njësive speciale në Policinë e Kosovës. Kemi dyfishuar njësinë speciale. Kjo është për shumë arsye”, tha Qalaj.

Anëtari i komisionit, Rexhep Selimi ka kërkuar sqarime në katër raste konkrete.

Selimi kërkoi nga drejtori të dijë për procesin e ristrukturimit të zyrtarëve të policisë dhe gradimin e zyrtarëve policorë.

“Gradimet, me sa di është shtyrë procesi. Ku jeni me këtë proces?”, pyeti Selimi.

“Procesi i gradimit do të filloj më datën 5 të muajit të ardhshëm. Të gjitha pozitat do të mbulohen me grada të nevojshme dhe të merituara. Për herë të parë do të bëjmë edhe gradime në gradën e kolonelit, që nga viti 2006 nuk është bërë asnjë gradim i kolonelit, nuk e di arsyen pse”, tha Qalaj.