Raportimi i KALLXO.com, suspendohet zyrtari përgjegjës për transportin e përbashkët të dëshmitarit dhe të akuzuarit

Një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës është suspenduar pas raportimit të KALLXO.com se një dëshmitar dhe një i akuzuar në rastin e vrasjes së zyrtarëve policorë të UNMIK-ut dhe Kosovës, u transportuan së bashku për në gjykatë.

“SHKK njofton opinionin publik se, autoritetet brenda SHKK-së, me të kuptuar  se të denuarit,  SH.M dhe B.K, të cilët vuajn dënimin në BSL, janë tansportuar në të njejtin automjet për në gjykatë, menjëherë ka ndërmarrë masa duke e suspenduar zyrtarin përgjegjës për organizimin e këtij transportimi, deri në përfundim të hetimeve”, thuhet në njoftim.

Dje, dëshmitari Shkumbin Mehmeti deklaroi se gjatë rrugës për në Gjykatë, ai ishte sjellë në një makinë së bashku me të akuzuarin Bedri Krasniqi nga i cili tha se gjatë rrugës kishte marrë kërcënime.

Lidhur me këtë, ai shqetësimin e tij e ngriti edhe ndaj prokurores së rastit, Habibe Salihu.

Ndonëse ishte e paraparë që Shkumbin Mehmeti të dëshmonte ai tha se po ndjehej i shqetësuar dhe i kërcënuar.

“Unë ndihem i shqetësuar dhe i rrezikuar nga mosmbrojtja e shtetit ndaj meje e posaçërisht nga oficerët korrektues”, u shpreh Mehmeti.

Sipas njoftimit të ShKK-së “dhe përkundër faktit se të burgosurit e apostrofuar në këtë rast janë transportuar me automjet të dedikuar për Rrezikshmëri Shumë të Lartë,  automjeti transportues është i ndarë në dy pjesë, ku të burgosurit nuk mund të kenë kontakt mes tyre”.

Ky rast gjyqësor ka të bëjë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve tjerë të UNMIK-ut që ka ndodhur më 23 mars 2004 gjatë trazirave të cilat kishin filluar pas pretendimeve për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë.

Sipas aktakuzës, më 23 mars 2004, një patrullë e UNMIK-ut ishte sulmuar në Podujevë, në rrugën për në Prishtinë. Një grup i madh i personave shkrepën disa plumba ndaj patrullës së UNMIK-ut duke vrarë vozitësin, policin e UNMIK-ut Possible Essuman dhe zyrtarin e Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli, i cili ishte në ulësen e përparme të udhëtarit, si dhe pësuan lëndime nga plumbat e shkrepur zyrtari policor i Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli, të cilët ishin në ulësen e pasme.

https://kallxo.com/skandal-deshmitari-i-vrasjeve-te-pasluftes-bartet-ne-nje-furgon-me-bedri-krasniqin/?fbclid=IwAR1Ah5e-VDWqR887cCDBK8s0R8rZTfGvHXWZMZhe4rsDfYeJoOw22zZ56Sk