Raporti tregon pikat kryesore të krimit të organizuar në Ballkan

Një raport i ri nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional identifikon vendet në Ballkan të cilat janë pika kryesore për bandat e krimit të organizuar të përfshira në kontrabandën e drogës, armëve dhe njerëzve.

 

Raporti i ri i publikuar të hënën në Vjenë nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional identifikon vende në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi ku krimi i organizuar po lulëzon.

Raporti, i bazuar në informacionet e përpiluara nga gazetarë dhe ekspertë vendorë, thotë se “fushat e qeverisjes së dobët, dobësia ekonomike dhe zonat e vendosura përgjatë rrugëve tranzitore kanë një probabilitet më të lartë për të qenë pika të nxehta për krimin e organizuar”.

Ai argumenton se këto pika të nxehta janë mundësuar nga një ekonomi politike e krimit që është thellësisht e rrënjosur në shumicën e vendeve të rajonit.

“Etnia dhe kufijtë nuk i pengojnë kriminelët të punojnë së bashku. Por bashkëpunimi i pakët dhe qeverisja e dobët po pengojnë përgjigjet penale brenda dhe midis shteteve,” tha në një konferencë për shtyp  Mark Shaw, drejtor i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Grupet e krimit të organizuar janë përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, duke përfshirë trafikimin e njerëzve, drogës, armëve, cigareve, makinave dhe mallrave të konsumit, thotë raporti.

“Është e habitshme se shumica e aktivitetit të paligjshëm në këtë rajon përfshin mallra që kalojnë në ose nga vendet e Bashkimit Europian,” tha Shaw.

“BE-ja ka mekanizma të konsiderueshme, një interes vetjak dhe një përgjegjësi të përbashkët për t’i prishur këto tregje dhe për të reduktuar vulnerabilitetin e Ballkanit Perëndimor ndaj krimit të organizuar,” shtoi ai.

Shqipëria: Raporti thotë se vendi ka pika hyrjeje të rëndësishme për kokainën që vjen në Europë nga Amerika Latine me dërgesa që vijnë kryesisht nëpër kontenierë në portin e Durrësit, të cilat më pas shpërndahen përmes Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës dhe kontrabandohen drejt Europës Qendrore.

Shqipëria ka qenë prodhuesja më e madhe e kanabisit në rajon. Grupet e organizuara kriminale jo vetëm që e kontrabandojnë produktin në vendet fqinje të BE-së, por gjithashtu e shpërndajnë atë në të gjithë rajonin.

Bosnja dhe Hercegovina: Raporti vë në dukje se qyteti i Tuzlës dhe zona përreth është një rrugë trafikimi për emigrantët, bagëtinë, drurin, drogëm, makinat si dhe tekstilet dhe paratë e falsifikuara. Ajo gjithashtu njihet si një qendër për kontrabandën e cigareve, ngjashëm me qytetet e tjera në kufi me Serbinë, Kroacinë dhe Malin e Zi.

Serbia: Rrugët popullore të trafikimit janë Subotica në Serbinë veriore pranë kufirit me Hungarinë dhe Vrsac pranë pikës së kalimit kufitar me Rumaninë, një qendër për kontrabandimin dhe ripaketimin e cigareve.

Mali i Zi: Ashtu si posti i Durrësit në Shqipëri, porti i Tivarit është shënuar si një pikë kryesore për kontrabandën e drogës, me Rozajen, një qytet i vogël në verilindje të Malit të Zi, i konsideruar si një tjetër vend kyçpër trafikimin e drogës.

Maqedonia e Veriut: Idomeni është një pikë e rëndësishme kalimi midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe gjithashtu një pikë tranziti për trafikimin e drogës, së bashku me pikën e kalimit kufitar të Jazincës pranë Tetovës, e cila është gjithashtu një pikë kryesore për trafikimin e mallrave të ndryshme.

Kosova: Raporti e përshkruan kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, si një mjedis aktiv kriminal ku aktivitetet kryesore të grupeve të krimit të organizuar përfshijnë trafikimin e drogës, ndërsa Peja në Kosovën perëndimore është në kryqëzimin e një sërë rrugësh kryesore trafikimi.