Raporti për shtetasit turq: Varg shkeljesh ligjore gjatë dëbimit

Një raport që dëshmon se dëbimi i gashtë shtetasve turq ishte bërë me shkelje ligjore, u votua sot në Kuvend.

Xhelal Sveçla (VV) kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datën 29 mars 2018, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit prezantoi raportin e komisionit në fjalë.

Sveçla theksoi se ky raport vendosë standarde të reja në punën e Komisioneve hetimore parlamentare.

“Për nga kualiteti dhe gjithë përfshirja e fakteve të cilat dëshmojnë se çfarë ka ndodhur me rastin e  dëbimit të paligjshëm të 6 shtetasve turq, vendos standarde të reja në punën e Komisioneve Hulumtuese parlamentare jo vetëm për Kuvendin por edhe më gjerë”, tha ai.

Sipas Sveçlës në këtë raport konstatohet një varg i gjatë i shkeljeve e  parregullsive, si dhe mospërputhje me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi si dhe me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Në raportin të cilin e kemi dorëzuar kemi identifikuar 31 shkelje të cilat janë të njohura si për deputetët po ashtu edhe për publikun si dhe një listë rekomandimesh. Në kuadër të këtyre shkeljeve, vendimet për evokim të leje qëndrimit dhe urdhrat për largim me forcë janë nxjerr në kundërshtim me ligjin”, shtoi ai.

KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht për 31 shkeljet në rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq.

Kryetari i Komisionit parlamentar bëri të ditur edhe strukturën e raportit në fjalë.

“Përveç hyrjes, pjesa 2 paraqet një përmbledhje gjithëpërfshirëse të fakteve relevante lidhur me dëbimin e 6 shtetasve turq. Në bazë të fakteve pjesa 3 paraqet një vlerësim juridik lidhur me rastin kurs e pjesa 4 paraqet vlerësimin juridik  një listë përmbledhje të të gjitha shkeljeve, parregullsive dhe mospërputhjeve me Kushtetutën, ligje, akte nënligjore, procedura, standarde dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që Komisioni ka gjetur në rastin e dëbimit të 6 shtesave turq”, tha ai.

Sipas tij, pjesa  e 5-të e raportit ofron disa rekomandime specifike për Kuvendin duke marr parasysh në veçanti kompetencat ligjvënëse.

Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme sot e ka miratuar Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datën 29 mars 2018.

Raporti u miratua me 59 vota për, 2 kundër dhe 4 abstenime.

Me 15 maj 2019 ,me 7 vota për Komisioni Hetimor Parlamentar për dëbimin e 6 shtetasve turq në mars të vitit të kaluar, ka miratuar raportin e punës së tij, raport ky i cili është nxjerr nga intervistat që Komisioni i ka bërë me akterët e përfshirë në këtë deportim.

Që nga 29 marsi i vitit të kaluar familjarët e gjashtë shtetasve turq dhe opinioni në Kosovë e më gjerë nuk kanë asnjë informacion se nga kush erdhi urdhri për deportimin e tyre nga autoritet kosovare drejt Turqisë.

Hasan Hysein Gunakan, Karhaman Demirez, Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Osman Karakaya si dhe Cihan Ozkan në mëngjesin e 29 marsit u arrestuan nga institucionet e Kosovës dhe u deportuan për të Turqi.

Ata janë të akuzuar për lidhje me Fetullah Gylen, njeriun të cilin Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grushtshtetit të dështuar në vitin 2016.

Deputetët sytë kah prokuroria e gishtin kah Presidenti për deportimin e gylenistëve