Foto: Kallxo.com

Raporti mbi deportimin e shtetasve turq, javën tjetër në Kuvend

Gjashtë orë zgjatën intervistat me tre persona të cilët ishin ftuar të jepnin dëshminë e tyre para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, më 29 mars.

Të ftuar në këtë komision për të dhënë dëshminë e tyre si të involvuar në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq sot ishin paraparë Presidenti Hashim Thaçi, ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe dy familjarë të gjashtë shtetasve turq.

Presidenti Thaçi prapë kishte vendosur që të mos ta njoftoj komisionin me mosardhjen e tij pasi kishte udhëtuar për Amerikë.

I pari i cili do të intervistohej nga komisioni ishte Flamur Sefaj.

I njëjti për shkak të një dokumenti të cilin e kishte cilësuar si konfidenciale, ka kërkuar qe dëshmia e tij të jepet pa praninë e mediave.

“Më falni që nuk kam mundur të pranoj ftesën më herët por me të vërtetë kam qenë i angazhuar me punë jashtë Kosovës. Gjithashtu dua të ju them se ky komision është i qëlluar.

Gjithë procesi ka filluar nga një dokument konficencial, për këtë arsye mendoj duke kërkuar falje kisha preferuar që mediat të mos jenë këtu për shkak te konfidencialitetit dhe ndjeshmërisë së rastit”, tha Sefaj.

Pas rreth dy orësh, Sefaj përfundoi dëshminë e tij para komisionit për ti lënë rendin dy familjarëve të shtetasve turq të deportuar në mars të këtij viti.

Me të filluar intervistimi i familjarit të parë, ky i njëjti kërkoi nga ana e komisionit qe dëshmia e tij, fotografitë e tij dhe emri i tij të mos bëhen publike për shkak se të njëjtat mund të ndikonin në Turqi tek familjari i tij.

Pas përfundimit të intervistave, të cilat ishin tri gjithsej, zëvendës kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Driton Selmanaj, tha se mbledhja e mbajtur sot ishte shumë emocionale për shkak të dëshmive të familjarëve.

“Të them se e kemi pasur një mbledhje komisioni kogja të renduar për shkak të shprehjeve të emocioneve gjendjen e familjarëve të të deportuarve por edhe analiza jonë është që institucionet e Kosovës kanë bërë bukur shkelje, prandaj them se ka qenë njëra nder mbledhjet më të ndjeshme. Ishte edhe z.Sefaj dhe dha dëshminë e tij”, tha Selmanaj.

Ai shtoi se pas një jave do të ketë një draft raport e më pas raporti final do të dorëzohet në Kuvend.

Për shkak të mospjesmarrjes në komision, Selmanaj tha se Thaçi ka treguar papërgjegjësi.

“Është hera e tretë që Thaçi nuk pranon të jetë në komision, ai është jashtë shtetit por ai asnjëherë nuk ka paralajmëruar se nuk vjen. Kjo është një papërgjegjësi. Intervistat nuk  i kemi përfunduar të gjitha është çështje ditësh që do të kemi një draft-raport e më pas do të kemi raportin final”, tha Selmanaj.

Sipas tij ka  adresa të ndryshme se kush e ka dhënë urdhrin për deportimin e shtetasve turq.

“Ne kemi shumë adresa të ndryshme problemi themelor është nga ka ardhur urdhri. Faktet e ofruara nga ish shefi i AKI-se nuk kanë qenë bindëse qe fillimi i kësaj çështje ka filluar nga institucionet kosovare. Ka një varg institucionesh që janë përshirë në këtë proces”, tha ai.

Selmanaj tha edhe se i gjithë procesi nuk duhet të ndalohet pa marrë dikush përgjegjësinë.

“Unë mendoj qe ka bazë kjo nuk duhet të ndalet vetëm me përgjegjësi politike. Këtë do të thotë qe duhet të ketë përgjegjësi edhe penale.  Dinamika e punës ka qenë më e madhe dhe kemi menduar që kreu i shtetit të jetë në fund nuk e kemi menduar qe kreu i shtetit e injoron ketë komision”, shtoi ai.

I pyetur nga KALLXO.com se a janë njoftuar nëse Presidenti ka qenë në dijeni për deportimin e shtetasve turq, Selmanaj tha se nuk kanë marrë një informatë të tillë dje për këto dëshmi edhe e kishin ftuar Presidentin.

“Nuk kemi deklarata se a ka qenë i informuar Presidenti apo jo, për këtë edhe e kemi thirrë presidentin me na tregu. Kemi dyshime se njëri nga personat më të rëndësishëm, nuk ka thënë të vërtetën dhe do të shohim nëse do të ngrisim kallëzim penal”, tha Selmanaj.

Mbledhja e komisionit me të intervistuar ka përfunduar sot.

Deri më tani janë marrë në pyetje, Fazli Fazliu, shef i Departamentit për të Huaj në Aeroport, Ibrahim Mustafa nga Departamenti për Emigrim në Aeroport, Rrustem Haliti, zyrtar policor në Aeroport, Hamit Rukiqi, zyrtar policor, Xhemajl Krasniqi, Naile Cakolli, nënkoloneli Shaban Guda dhe drejtori i Departamentit të Kufirit, Rrahman Sylejmani, Ish- Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, ish shefi i AKI-së, Driton Gashi, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe sekretari e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupin, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Shkelzen Sopjani.

Presidenti Thaçi është ftuar tre herë radhazi për të dhënë dëshminë e tij por ai nuk ka dhënë asnjë arsyetim ose konfirmim nëse do të jap dëshminë ose jo.

Të gjitha shkrimet për këtë rast mund ti gjeni në këtë LINK.

https://kallxo.com/keta-jane-zyrtaret-qe-u-intervistuan-per-deportimin-e-shtetasve-turq/

https://kallxo.com/driton-gashi-ish-shefi-i-aki-se-merret-ne-pyetje-6-ore-per-rastin-e-gylenisteve/