Raporti Kuvend-Medie, “Korrekt”

Veseli e vlerësoi kështu punën e medieve në një takim të zhvilluar sot me gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët e akredituar në institucionin që ai e drejton, si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët i ka falenderuar për punën e jashtëzakonshme dhe bashkëpunimin gjatë vitit 2015.

Para përfaqësuesve të medieve dhe të organizatave të shoqërisë civile, Veseli tha se viti që po lëmë pas ishte i vështirë, si për funksionarët institucionalë ashtu edhe për mediet.

“Duhet të pranojmë se këtë vit Kosova u ballafaqua me testin e funksionimit si shtet demokratik dhe ligjor. Duhet të jemi realistë, këtë test ende nuk e kemi kaluar. Kuvendi i Kosovës u ballafaqua me një situatë të paprecedentë, jo vetëm për parlamentarizmin tonë, por edhe më gjerë,” tha kryekuvendari, duke shtuar se pengimi i punës së Kuvendit me veprime joparlamentare ka shkaktuar dëme në shumë drejtime.

Po ashtu, Veseli paralajmëroi se viti 2016 nuk do të jetë vit i lehtë.

“Besoj se do të jetë një ndër vitet më të rënda që nga paslufta. Duhet të përgatitemi si ne politikanët ashtu edhe ju mediet. Thjesht duhet të vazhdojmë në kuptimin që nga kjo situatë Kosova do të dalë më e fuqishme,” theksoi Veseli në këtë takim me rastin e përmbylljes së punës së legjislativit për këtë vit.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirja Shabani, pasi falënderoi kryekuvendarin për bashkëpunimin insistoi që të punohet edhe më tutje në përmirësimin e sigurisë për gazetarët gjatë punës së tyre.

Ai kërkoi nga Veseli që të angazhohet maksimalisht për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit që të krijohen edhe ligjërisht hapësira dhe kushte më të mira për gazetarët brenda ambienteve të këtij institucioni.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga KDI-ja, shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit shoqëri civile – Kuvend në funksion të kultivimit të mëtejmë të demokracisë parlamentare.