Foto: Kallxo.com

Raporti i UNDP: Bie kënaqshmëria në institucione, rritet gatishmëria për të protestuar

Kënaqshmëria e publikut në institucionet qendrore të vendit ka rënë ndërsa gatishmëria për të protestuar për arsye politike është rritur, sipas një hulumtimi të publikuar sot nga UNDP.

Pulsi Publik me anë të një raporti ka ofruar një pasqyre të treguesve kryesor të matura, mbi përceptimet e qytetarëve për institucionet në Kosovë duke u përqendruar në çështjet politike, ekonomike, ato të sigurisë dhe zhvillimore.

Të dhënat e fundit tregojnë rënie të kënaqshmërisë së kosovarëve me ekzekutivin, gjyqësorin dhe legjislativin.

Vetëm 15 % janë të kënaqur me orientimin momental politik që e ka marrë vendi.

Rreth 33% e kosovarëve janë deklaruar të kënaqur me punën e kryeministrit ndërsa, 30% të tjera u deklaruan të kënaqur me punën e institucioneve qendrore.

39% e kosovarëve kanë treguar se janë të kënaqur me punën e presidentit, ndërsa niveli i kënaqshmërisë së punës së gjyqësorit është ulur për 6% që nga tetori i vitit të kaluar.

Kënaqshmëria me prokurorinë dhe institucionet qendrore janë më të ulëta kur krahasohen me të gjitha institucionet e tjera.

Sipas raportit të UNDP-së, rreth 38% e kosovarëve janë përgjigjur pozitivisht kur janë pyetur nëse do të ishin të gatshëm të bëhen pjesë e protestave publike për arsye politike.

Drejtuesi i Pulsit Publik, Atdhe Hetemi tha se në lidhje me statistikat janë anketuar edhe serb të cilët jetojnë në Kosovë.

“Përqindja e serbëve qe kanë deklaruar se janë të kënaqur ose jo të kënaqur është vetëm 2%. Numri i serbëve qe kanë deklaruar se janë të sigurt ose ndihen të sigurt në rrugë eshtë 5%”, tha Hetemi.

Sa i takon çështjes së sigurisë, 67% e kosovarëve ndihen të sigurt.

Të anketuarit e këtij projekti kanë deklaruar se papunësia, korrupsioni dhe varfëria janë tri çështjet më të mëdha të cilat ndikojnë në mirëqenien e tyre sociale.

31% të të anketuarve kanë perceptuar se ka shkallë të lartë të korrupsionit.

Po ashtu Pulsi Publik, ka bërë matjen edhe në lidhje me punësimin e bazuar me meritë në sektorin publik.

Sipas raportit, shumica e kosovarëve mbeten skeptik rreth punësimit të bazuar në meritë në sektorin publik, pasi shumica e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare, ryshfeti, aleancat politike dhe faktorë tjerë janë më të dobishmit për sigurimin e punësimit në sektorin publik.