Raporti i Prokurorisë: 11 të arrestuar për 24 orë

Gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore të Prishtinës të Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar personi me inicialet B.S., me dyshimin se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Një person tjetër inicialet e të cilit janë V. H, është ndaluar me urdhër të Prokurorit  kujdestar të  Prokurorisë Themelore në Prishtinë nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Sulmi” dhe “Dëmtim në pronë”.

Në anën tjetër në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Lëndimi trupor”, katër të tjetër për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe një person tjetër për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë një kërkesë për caktimin e paraburgimit, për një person, për veprën penale “ Dhunë në Familje”, dhe “Armëmbajtje pa leje”. Po ashtu, kjo prokurori ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, për personin e njëjtë për veprën penale “Dhunë në Familje”, dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Gjatë 24 orëve të fundit në Prokurorinë Themelore në Pejë në Departamentin e Krimeve të Rënda, me urdhër të prokurorit është ndaluar një person i dyshuar për 48 orë, pasi që tek i njëjtit është gjetur narkotikë i llojit heroinë, e gatshme për shitje.

Gjithashtu në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Pejës, janë ndaluar dy persona me nga 48 orë. Personi i parë është ndaluar nën dyshimin se viktimës i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, e personi i dytë është ndaluar për shkak të dyshimit se i njëjtit ka kryer veprën penale “Pengim i Personit zyrtar gjatë detyrës zyrtare”.

Prokuroria Themelore e Pejës Departamenti i Krimeve të Rënda, gjithashtu ka bërë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj të pandehurit F.N, për shkak se i njëjti ka shkaktuar aksident me fatalitet me datën 11 maj në qendër të Pejës dhe  kishte për të kryer veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”.

Në Prokurorinë Themelore të Gjilanit më saktësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit R.A. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Ngacmimi seksual’’.

Në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, është bërë kërkesë për ndalimin e një personi për 48 orë, për shkak të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”.

Po i njëjti departament ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj një personi, për shkak të veprës penale ‘’Lëndim i rëndë trupor’’.

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë në Departamentin e Krimeve të Rënda, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar një person i cili ka qenë në kërkim për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Narkotikët”.