Publikimi i raportit rreth efikasitetit të gjykatave - Foto: KALLXO.com

Raporti: Gjykata e Prizrenit, më e korruptuara

Misioni i USAID në bashkëpunim me OJQ-në “Demokracia +” kanë prezantuar sot hulumtimin rreth transparencës dhe efikasitetit të gjykatave themelore të Kosovës, e cila përmban rezultatet e anketave rreth kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e gjykatave – sipas vlerësimit të avokatëve.

Ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, Brian Martalus tha se pavarësisht se gjykatat kanë arritur progres në zgjidhjen e lëndëve të zgjidhura ato duhet të punojnë ende dhe të rrisin numrin e publikimeve të aktgjykimeve në ueb-faqet e tyre.

“Për të ndërtuar besimin gjyqësori duhet të jetë transparent me publikun. Gjykatat kanë bërë progres në zgjidhjen e lëndëve të pazgjidhura por ende duhet punë. Gjykatat duhet të vazhdojnë punën me qytetarët të rrisin numrin e publikimit të aktgjykimeve në ueb-faqe”, ka thënë Martalus.

Udhëheqësi i Programit për Fuqizim të sistemit të Drejtësisë, Adrew Boname tha se gjithmonë kur i dëgjon të tjerët e kupton ndonjë lajm të keq, dhe se marrja e këtij informacioni ndihmon në ngritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Kur u kërkon njerëzve qëndrimin dhe opinionet merr ndonjë lajm të keq. Ne kemi kuptuar se shume pak njerëz vizitojnë faqet e gjykatave për të marrë informacione. Shumë avokatë kërkojnë ose jo nëpër ueb-faqe e nuk gjejnë informacione, mendimet e tyre na japin se cilat gjykata qëndrojnë më mirë. Sondazhi i përdoruesve të gjykatave përmirëson shërbimet e gjykatave. Kemi informacione se shumë gjykata kanë përmirësuar shërbimet dhe duhet të presim deri në sondazhin tjetër të marrin informacione për tash e tutje. Pra inkurajoj të gjithë që gjykatat të jenë më efikase. Një numër i madh i gjykatave kanë marrë dhe po marrin rezultatet e sondazheve për të përmirësuar punën e tyre”, është shprehur Boname.

Roberta Osmani nga “Demokracia +” prezantoi rezultatet e gjetura nga anketimi me qytetarë dhe avokatë të cilët punojnë në shtatë rajonet e Kosovës.

“Ky hulumtim mbi transparencën/qasjen dhe efikasitetin e Gjykatave Themelore në Kosovë është përgatitur me 817 respondentë në shtatë Gjykata Themelore në Kosovë. Hulumtimi gjeti një numër të mangësive në cilësinë e shërbimeve të ofruara nga gjykatat”, tha Osmani.

Nga këto gjetje të këtij raporti me 817 respondentë në shtatë gjykata themelore në Kosovë është kuptuar se Gjykata Themelore në Prizren është ranguar si më e korruptuara kurse Gjykata Themelore në Gjakovë dhe ajo në Pejë nuk kanë raportuar ndonjë joshje për mito.

Ndërsa sipas efikasitetit dhe paanshmërisë, Gjykata Themelore në Mitrovicë rangohet si gjykata më me pak efikasitet dhe paanshmëri, kurse ajo e Ferizajt qëndron si Gjykata më e paanshme dhe më efikasja ndër gjykatat në shtatë rajone të Kosovës.

E Gjykata Themelore në Prishtinë  sipas gjetjeve të raportit është më e paqasshmja në informata zyrtare.

Osmani po ashtu tha se qytetarët janë shumë të frustruar nga pamundësia e qasjes në informata rreth rasteve të tyre. Gjithashtu edhe korrupsioni është sofistikuar dhe në vend të parave po kërkohet këmbim me favore.

Nga popullata me 817 respondentë, 38 apo 4.51 për qind kanë raportuar se u është kërkuar mito nga gjykatës apo punonjës të tjerë të gjykatave.