Kryeministri Ramush Haradinaj në 'FOL Hapur'. Foto: Kallxo.com

Ramush Haradinaj: Ultimatumi i Listës Serbe, Taktikë për të Mos Vepruar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur taktikë ultimatumin e Listës Serbe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe deri më 20 prill.

Kur kanë mbetur edhe një javë deri te skadimi i këtij ultimatumi, shefi i qeverisë së Kosovës tha se kjo është bërë “ndoshta për t’i shtyrë institucionet e Kosovës për të mos vepruar”.

“Është taktikë: japin ultimatum me qëllim në mënyrë që ti të mos veprosh. Çkado që të bëjnë, nuk merr peshë juridike. Nuk ka mundësi të krijohet diçka nëse nuk bazohet në ligje të Kosovës”, tha Haradinaj në një diskutim të organizuar nga Lëvizja FOL sot në Prishtinë.

Ai tha se hapi që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës në këtë drejtim janë “serioze” dhe të bazuara në obligimet që vendi ka marrë me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.

“Çdo gjë që niset në Statut të Asociacionit duhet të vërtetohet nga Gjykata Kushtetuese. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse t’i zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Duke folur për dialogun, Haradinaj tha se është koha që tani ky proces të kalojë në atë që ai e quajti fazë finale.

“Kosova nuk ka arsye të hezitojë të mos hyjë në fazën finale. Jam i interesuar të ndodhë kjo… Dialogu është temë nacionale, nuk është temë e një pjese të spektrit politik. Më mirë të jesh në tavolinë i informuar sesa të informohesh prej dikujt tjetër”, tha Haradinaj.