Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Ramush Haradinaj: Kosova nuk do ta njohë Kataloninë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë për gazetën spanjolle ‘El Pais’ se Kosova kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Katalonisë, duke insistuar edhe një herë se rasti i Kosovës dhe regjionit spanjoll nuk kanë asgjë të përbashkët dhe se “vendosja e ndonjë analogjie është e pakuptimtë”.

“Kosova ka lindur nga shpërbërja e Federatës Jugosllave, në një proces të përgjakshëm të të gjithëve kundër të gjithëve. Ky nuk është rasti i Spanjës, ku respektohen të drejtat civile dhe politike”, tha Haradinaj për ‘El Pais’.

Haradinaj shtoi se këmbëngulja për ngjashmërinë midis dy rasteve do të thotë “mosnjohje e historisë apo keqinterpretim i saj”.

“Spanja është një demokraci e përparuar. Rasti ynë vjen nga shpërbërja, përmes luftërave tragjike, të Jugosllavisë së vjetër, në vitet 1990. Ka një ndryshim të madh: kemi luftuar për demokraci, por mbi të gjitha për të drejtat e njeriut. Ky nuk është rasti i Katalonjës”, tha ai.

Kosova e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbia u zotua të mos e njohë kurrë atë.

Spanja është një nga pesë shtetet e BE-së që gjithashtu nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, krahas Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Greqisë.

Gazeta citoi Haradinajn të thoshte se Spanja është një vend “i admirueshëm” dhe Kosova e respekton atë si komb “për historinë e saj të qytetërimit në mbarë botën”.

Ndërkohë, Spanja ka çështjet e veta separatiste me baskët dhe Kataloninë, udhëheqësi i së cilës, Carles Puigdemont, e shpalli pavarësinë e rajonit në tetorin e kaluar përpara se të ikte në mërgim. Spanja ka arrestuar një numër të udhëheqësve katalanas, por vazhdimi i bisedimeve mbi të ardhmen e Katalonisë vazhdon.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se vendi i tij ishte i angazhuar për stabilitetin rajonal. “Ky është fati ynë, për të mirën tonë dhe për të gjithë, sepse sa më i madh stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, aq më e madhe është paqja dhe stabiliteti në Europë, dhe zvogëlohet mundësia që armiqtë tanë të veprojnë dhe të destabilizojnë rajonin ose ta përdorin atë për të zvogëluar ose shkatërruar përparimin e Europës”, tha Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu komentoi shkarkimin e ministrit të brendshëm dhe kreut të Agjencisë së Inteligjencës pas dëbimit të diskutueshëm të gjashtë qytetarëve turq në Turqi.

Turqia i akuzoi ata se janë përkrahës të klerikut në mërgim, Fetullah Gulen. Haradinaj shtoi se “procedurat ligjore [në deportim] nuk janë respektuar, prandaj ndërhyra”.

Duke folur për Rusinë, Haradinaj deklaroi se Kosova kishte zgjedhur anën e saj në konfliktin midis Moskës dhe Perëndimit, e cila ishte ana e Bashkimit Europian dhe Aleancës Veriatlantike, NATO.

“Demokracia jonë është e re, por objektivi ynë është të jemi pjesë e familjes euroatlantike, ashtu siç është të mbajmë marrëdhënie të mira me BE-në”, tha ai.

Duke vënë në dukje se Kosova nuk është nën ndikimin e Rusisë, Haradinaj shtoi se “përveç kësaj, Moska vepron me kujdes, nuk përpiqet të destabilizojë rajonin hapur, por jemi të shqetësuar për një lloj të caktuar aktivitetesh të axhendës së tyre këtu … kudo rreth nesh”.