Kryeministri Haradinaj në pritje nga rektori marjan Dema. Foto: Kallxo.com

Ramush Haradinaj, Dy Orë me Rektorët e Dekanët Publikë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot është takuar me strukturat më të lartë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të universiteteve tjera publike në Kosovë. Në një takim prej afro dy orësh me dyer të mbyllura, kryeministri Haradinaj ka diskutuar me Rektorin, Marjan Dema, prorektorët e UP-së, dekanët e 13 fakulteteve të UP-së dhe me rektorët e universiteteve publike.

Pas këtyre takimeve, kryeministri Ramush Haradinaj tha se këtu nuk është ardhur për shkak të individëve por për shkak të parametrave në arsimin e lartë në Kosovë.

I pyetur nga KALLXO.com, Haradinaj pranoi se arsimi i lartë në Kosovë nuk është agjendë e lehtë për qeverisjen e tij dhe për gjithë vendin.

“Është bukur agjendë e madhe, agjendë e vështirë, nuk është agjendë e lehtë arsimi i lartë, nuk është situatë që lehtë mund të ndërrohen parametrat. Jemi të  vetëdijshëm për këtë dhe kjo nuk na bënë as të frikësuar as të mërzitur, dhe kjo nuk na pengon të vlerësojmë të arriturat e deritashme”, tha Haradinaj.

Ai tha se ka ardhur në këtë takim “për t’u ofruar përkrahjen” e një qeverisjeje që, sipas tij, ka kapacitet implementues.

Po ashtu kryeministri Haradinaj tha se gjatë këtij takimi ai është informuar se universitetet publike kanë vakume ligjore që, sipas tij, statutet e tyre nuk janë miratuar në Kuvend.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se të gjithë janë të angazhuar që planin strategjik ta zbatojnë në mënyrë që UP-ja brenda 10 viteve të jetë Universitet elitar jo vetën në rajon por edhe më gjerë.

“Edhe sot shprehëm qëndrimin se besojmë fuqishëm se pa ndryshim të Universitetit të Prishtinës nuk ka ndryshim të Kosovës dhe e informuam kryeministrin për këto rrjedha”, deklaroi Dema.

I pyetur nga KALLXO.com se përse është vonuar procesi  për angazhimin e  stafit të jashtëm  të UP-së duke ditur që mësimi ka filluar që afro një muaj, Dema tha se kjo vonesë është bërë nga Inspektorati i Punës.

“Arsyeja pse jemi vonuar është se kemi qenë në proces dhe jemi në proces të plotësimit të të gjitha fushave me rregullore, norma, infrastrukturë ligjore që ka ndihmuar deri diku. Natyrisht Inspektorati i Punës na ka vonuar, na ka vendosur disa pengesa, madje ka qenë edhe ajo që në qoftë se si respektoni do të ju anulojmë konkursin”, tha Dema.

I pari i UP-së, premtoi që orët e humbura nga mos angazhimi i stafit të jashtëm do të zëvendësohen shumë shpejt.