Ramush Haradinaj: Bashkësisë ndërkombëtare i ka humbë udha në oborr

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend para gjatë një fjalimi të cilin e ka mbajtur para qytetarëve të Therandës.

Në këtë fjalim Haradinaj ka kujtuar kohën kur ka marrë detyrën e të parit të vendit, duke thënë se për punët që ka nevojë të kryhen për Kosovën, i kanë thënë se duhet të shkoj në Bruksel të flas me Evropën dhe Serbinë.

“Na për ushtrinë tonë, kaq të vogël duhet me shku me pyet Serbinë a? Serbia kur po shkon me ble armë në Moskë, kurrë neve nuk po na vet, i kam pyet disa të huaj njëherë, a është normal na populli viktimë, që na ka mbyt ajo ushtri, nuk po kem drejt me u mbrojtë, se ushtria që na ka mbytë neve është ajo që nuk po na pyt për asgjë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se i ka thënë bashkësisë ndërkombëtare se “ju ka humbë rruga në oborr”.

“Ju ka po vini po i thoni viktimës, dhe të dobëtit “ti mos bo ushtri”. Ju ish dashtë me ju thonë atyre, të përgjysmojnë ushtrinë, sepse ju e keni keqpërdorë ushtrinë dikujt”, ka thënë kryeministri.

Në këtë fjalim, Haradinaj ka thënë se Serbia ka paguar para që vendet e tjera ta tërheqin njohjen e Kosovës.

“Kanë pagu pare, në krejt dynjanë, duke thënë “largoja njohjen Kosovës, se na nesër mu bashku çka të duhet që e ke njoftë”, nuk na lan me hy në Interpol, u munduan me na destabilizu në rend, kur ne u detyruam me u mbrojtë , me vendosë taksë, shkuan e u ankuan në krejt dynjanë çka na ka bo Kosova, se janë të mirë me vajtu”, është shprehur Haradniaj.

Haradinaj në fjalimin e tij ka thënë se njohja nga ana e Serbisë nuk mund të vijë duke marrë diçka nga Kosova.

“Ju kemi treguar miqve tanë se si është puna. Njohja nuk mundet me ardhë edhe një herë tu na marrë diçka, shumë njerëz gjatë viteve ’98- ’99, janë detyru me lanë Kosovën, dhe tash me dhanë edhe diçka. Kur po flasin miqtë tanë, çka jepni ju për njohje a beson si me të ra diçka e madhe në krye, çka mundemi na me dhanë tjetër për të drejtën tonë”, është shprehur Haradinaj, duke thënë se njohja duhet të vijë si kërkim fjale e jo duke falur tokë.