Foto: ZKM

Ramush Haradinaj: 2019 është viti i ekonomisë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se viti 2019 do të jetë viti i ekonomisë për Kosovën.

Ai këto deklarata i bëri gjatë vizitës në Odën Ekonomike Amerikane.

“Këtë vit e kemi ekonomi, ekonomi, ekonomi, pra është e vërtetë dhe nuk është deklarim verbal i këtillë. Për fat të mirë, disa punë në aspektin legjislativ janë realizu. Ne tani e kemi mundësi që të fokusohemi në ekonomi së bashku’’, deklaroi Haradinaj.

Ai shprehu interesimin e Qeverisë dhe institucioneve për bashkëpunimin me Odën Ekonomike Amerikane dhe të gjitha kompanitë që janë në këtë Odë.

“Prej mekanizmave jo qeveritarë, e kemi përzgjedh Odën Amerikane me fillu, edhe për shkak të vlerës së gjithë juve, por edhe për shkak të porosisë që e dërgon si institucion i bashkëpunimit ekonomik, në këtë rast edhe Kosovë – Amerikë. Jemi të interesuar po ashtu që të iu japim një adresë, një mundësi shtesë investimeve amerikane, të përbashkëta, me investitorë potencial të vendit dhe me zonën ekonomike amerikane. Po du me iu siguru që është vit i ekonomisë, të gjithë mekanizmat institucional do të jemi në funksion të nismës ekonomike”, tha kryeministri.

Ndërsa presidenti i bordit të guvernatorëve Ilir Ibrahimi tha se Oda Ekonomike Amerikane është vazhdimisht e gatshme për dialog publik me institucionet qeveritare, sepse sipas tij Oda Amerikane ka potencial për të kontribuar në ekonominë e vendit.

“Ne si Odë Amerikane e kemi potencuar vazhdimisht që jemi të gatshëm dhe të hapur për një dialog publik me institucionet qeveritare sepse këtu në odën amerikane kemi talente të mjaftueshme të cilët mund të jepnin kontributin e tyre për vizionin të cilin e ka qeveria për zhvillimin ekonomik, këtë e kemi bërë të ditur gjatë deklaratave tona në vitin e kaluar, këtë e bëjmë të ditur edhe sot”, tha Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, duhet të dëgjohet zëri i korporatave dhe kompanive të mëdha që janë anëtare të Odës Ekonomike Amerikane, dhe inputi i tyre të përçohet tek institucionet qeveritare.