Naim Bazaj e Ramiz Lladrovci. Foto: Facebook

Ramiz Lladrovci padit ish-partiakun, Naim Bazajn

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se ka paditur ish-partiakun e tij nga PDK, Naim Bazajn.

Lladrovci siç bënë të ditur përmes një postimi në ‘Facebook’, ai e ka paditur për shkak të disa akuzave që Bazaj i kishte bërë ndaj tij për keqpërdorim të parave të fondit ‘Vendlindja thërret’.

“Liria e shprehjes është një nga të drejtat fondamentale ku si të tillë e përcakton Kushtetuta jonë, por keqpërdorimi i kësaj të drejtë po ashtu është veprim i ndaluar, e aq më tepër kur kemi të bëjmë me fyerje dhe shpifje”, thuhet në postimin e Lladrovcit të bashkangjitur më fotografinë e padisë.

Ai gjithashtu ka mohuar pretendimet se i ka kërkuar Bazajt që shumën prej 1.5 milion euro të dërgohet në Gjermani.

“Pretendimet” se gjoja unë i kam kërkuar z. Bazaj që shumën prej 1.5 milion euro të dërgohet në Gjermani, pos që është plotësisht e pavërtetë, është qesharake, aq më shumë kur bëhet fjalë për një vlerë të tillë”, ka shkruar tutje ai.

Gjithashtu, i pari i Drenasit shprehet ‘i qetë’ pasi që sipas tij, Bazaj nuk ka asnjë fakte që t’i mbështesë ato që i kishte deklaruar.

Vlen të përmendim së e gjithë kjo ‘luftë’ mes Lladrovcit dhe Bazajt filloi pasi që ky i fundit humbi garën për të parin e degës së PDK-së në Drenas.

Naim Bazaj ishte mposhtur nga kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.

Bazaj në një prononcim për KALLXO.com përveç pretendimeve se kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, është zgjedhur me manipulime, ai akuzoi edhe ish-partiakun i tij, Ramiz Lladrovcin, se ka keqpërdorur para nga fondi i kohës së luftës ‘Vendlindja thërret”.

“Janë ble votat me premtimin që më i punësu në Postë e institucione të tjera. Marre more duhet me ju ardhë. I ka kushtëzu Lladrovci krejt asamblistët e drejtorët, i ka fut rreth 30 përnjëherë që nuk pasë të drejtë. U shkel rregullorja. Mjerisht ky vend ka pasur nevojë për ndryshime edhe ia pafshin hajrin po jo me ble vota me pare të ‘Vendlindja thërret”. Zotëri Lladrovci me paret e ‘Vendlindjes Thërret’ dhe me pare të shtetit kanë ble vota dhe njerëz. Të premten në mbrëmje iu kanë thanë njerëzve sa pare po i doni veç me na e dhanë votën”, deklaroi ai për KALLXO.com

Ndërkaq, i pyetur nga KALLXO.com për këto akuza drejtuar atij, Lladrovci kishte paralajmeruar se do ta padisë për shpifje.

Ai gjithashtu e ka quajtur ‘festë’ fitoren e kryeshefit të Postës për kryetar të PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha.

“Sot kemi festë, ditë e dytë e festës, kuvendi i suksesshëm zgjedhor dje, sot Feronikeli kampion i Kosovës.  Tashmë, këto thashetheme e shpifje nuk do të duhej të merreshin seriozisht sepse gjatë tri fushatave të shkuara janë lansuar pa bazë, për shkaqe elektorale. Gjithsesi, shpifja është e dënueshme, dhe do të paraqes padi”, ka thënë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të dielen.

Gjithashtu, KALLXO.com të dielën raportoi se sipas interpretimit ligjor Sejdi Hoxha nuk ka të drejtë të mbajë dy pozitat.