Ramiz Lladrovci, PDK, Drenas. Foto: Atdhe Mulla

Ramiz Lladrovci flet për aksionin policor në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit ka reaguar pas operacionit të policisë së Kosovës në lidhje me kontrabandën në komunat e Kosovës.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka thënë se kriminelët nuk duhet të ndihen të lirë në Republikën e Kosovës karshi policisë me integritet të lartë.

Ai ka përgëzuar Policinë për aksionin e sotëm, ndërsa policëve të lënduar ju ka uruar shërim të shpejtë.

“Krimi nuk ka ngjyra nacionale, regjionale as politike. Kriminelët nuk duhet të ndjehen sigurt në Republikën e Kosovës kur kemi Polici të tillë që me integritet dhe profesionalizëm kryejnë detyrat e veta duke ndjekur krimin e organizuar, korrupsionin dhe dukuritë tjera negative.Përgëzoj Policinë e Kosovës për veprimet e sotme, kurajën për të luftuar krimin si në veri, ashtu edhe në jug”, shkroi ai.

Ai shtoi se “Operacioni i zhvilluar në Drenas, ishte shembullor dhe si komunë, i kemi ofruar përkrahje të plotë luftimit të krimit nga kushdo qoftë.Policëve të lënduar në veri të vendit tonë, ju dëshiroj shërim të shpejt, duke shprehur solidaritet të plotë me ta dhe familjet e tyre. Krenar me Policinë e Kosovës”.

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës ka nisur mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni policor i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë të Jugut, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

KALLXO.com nga vendi i ngjarjes ka siguruar pamje ku shihen njësi të shumta të Policisë së Kosovës. KALLXO.com mëson se cak i këtij aksioni janë rrjetet e kontrabandës së mallrave nga Serbia për në Kosovë. Janë realizuar disa bastisje në disa lokacione ndërsa aksioni është duke vazhduar.

Katër zyrtarë policor kanë pranuar sot tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, pas operacionit policor i cili po vazhdon të zhvillohet në disa pjesë të vendit.

https://kallxo.com/perfundon-aksioni-ne-zubin-potok-foto/