Ramiz Kelmendi. Foto: Facebook

Ramiz Kelmendi Jep Ide si të Paguhen Veteranët

Pasi më shumë se 33 mijë veteranë nuk i morën pensionet e muajit gusht, ngase nuk mund të bëhet rishikimi i buxhetit pa krijimin e institucioneve të dala nga vota e 11 qershorit, deputeti i LDK-së Ramiz Kelmendi propozoi një tryezë diskutimi për të gjetur mënyrat se si veteranëve t’u jepen pensionet.

“Këtu duhet pasur koncensus politik për këtë çështje me rëndësi. Duhet të zgjidhet ‘forma 1’ e cila bashkon liderët e partive politike parlamentare së bashku me faktorët relevantë ligjorë dhe kushtetues dhe të arrihet një marrëveshje obliguese që të paguhen veteranët”, thuhet në një postim të deputetit Kelmendi.

Marrëveshja e mundshme sipas Kelmendit do të mundësonte edhe kalimin dhe rishikimin e projekt-buxhetit.

Kelmendi në propozimin e tij e kërkon edhe përfshirjen e Institucionit të Presidentit në këtë çështje.

“Ky koncensus politik i mbështetur edhe nga kompetencat e presidentit që si isntitucion i gëzon për kushte të jashtëzakonshme do mundësonte realizimin e obligimit ndaj veteranëve”, vijon më tutje postimi i Kelmendit.

Kelmendi shkruan se nuk do të dëshironte të shihet tensionim të situatës dhe protesta të veteranëve, pasi sipas tij këto do t’u konvenonin armiqve të Ksoovës dhe fuqizimit të ndikimit rus në Ballkan.

Kelmendi në postim thotë se veteranët kanë mbetur pa pensione në një periudhë të ndjeshme.

“Familjet e tyre sot në ditën e festës fetare dhe në ditën kur fëmijët e tyre kanë nevoja për të blerë paisje shkollore nuk kanë mundësi t’i marrin pagat në fjalë”, shkruan Kelmendi.

Në mbledhjen e qeverisë në detyrë të zhvilluar të mërkurën ministri në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se për pagesën e poensioneve të veteranëve në muajin gusht duhen edhe më shumë se 4 milionë euro, të cilat ministria njuk i ka pa rishikim të buxhetit.

Në të njëjtën mbledhje kryeministri në detyrë Isa Mustafa duke shprehur keqardhje që veteranët nuk i morën pensionet, tha se ata do t’i marrin ato pa precizuar se si.

http://kallxo.com/mustafa-33-mije-veteranet-ti-marrin-pensionet/

Prokuroria e Shtetit ka nisur hetime për fryerjen e listave të veteranëve të luftës.