Konferenca "Arsimi për Punësim" | Foto: KALLXO.com

Ramiz Kelmendi: Arsimi nuk po Arrin të Sigurojë Punësim

Ramiz Kelmendi u zotua se do të ketë përkushtim të veçantë qeveritar në lidhjen e arsimit profesional me bizneset që sipas tij rezulton me ulje të papunësisë.

“Çështja e mosharmonizimit të plotë të sistemit të arsimit me tregun e punës nuk është problem i ri dhe as që është problem i vetëm i Kosovës. Unë kam kuptuar se të metat e kësaj disharmonie të trashëguar më së miri i zbulon praktika me të cilën ballafaqohet çdo biznesmen në Kosovë i cili e përjeton më së keqi zhgënjimin e diplomës, e cila si kualifikim profesional është dëshmi e vetme për punësim,” tha Kelmendi.

Ministria e  Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Odën Ekonomike prezantoi sot projektin ‘Arsimi për Punësim’ që synon krijimin e grupeve punuese me biznese dhe shkolla profesionale për mundësi bashkëpunimi.

Ministri i Arsimit Arsim Bajrami tha se arsimi profesional ka qenë i paragjykuar, ndërsa bëri thirrje për orientim të nxënësve drejt tij.

“Kosova nuk duhet të pretendojë të bëhet një shoqëri elitare, e akademikëve dhe e intelektualëve, por duhet të jetë një shoqëri praktike dhe reale. Duhet të heqim dorë nga një akademizim i tepruar i saj dhe t’i kthehet realitetit që të lidhet plotësisht me ekonominë dhe tregun e punës,” deklaroi Bajrami.

Bajrami edhe më herët në paraqitjet e tij ka thënë se prioritet i ministrisë që drejton është arsimi profesional.

http://kallxo.com/bajrami-prioritet-arsimi-fillor-dhe-ai-profesional/

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu gjithashtu theksoi mospërputhshmërinë e nevojave të tregut të punës me arsimimin e popullatës.

“Ne çdo ditë shohim shifra të larta  të papunësisë  në Kosovë por njëkohësisht kemi informacione dhe kërkesa nga sektori privat duke kërkuar fuqi punëtore,” tha Gërxhaliu.