Burim Ramadani, ZV. Ministër i FSK-së

Ramadani: Armatosja e Serbisë me pajisje ruse, rrezikon Ballkanin

Zëvendësministrit në detyrë i Mbrojtjes, Burim Ramadani ka reaguar lidhur me furnizimin me armë që i ka bërë Rusia, Serbisë.

Ramadani përmes një publikimi në Facebook, ka shkruar se Serbia u kthye në Rusinë e Vogël dhe kjo është shqetësim për gjithë rajonin.

“Orientimi dhe armatosja e Serbisë me pajisje ruse (edhe pse në këto lëvizje aferat korruptive janë enorme) ka për synim rrezikimin e gjithë Ballkanit, ndërsa paraqet hakmarrjen ruse e serbe ndaj NATO-s dhe demokracive të botës”, thuhet në publikimin e tij.

Sipas Ramadanit, paqja në Ballkana rrihet me anëtarësimin e shteteve të rajonit në Aleancën Veri-Atlantike (NATO).

“Duhet të jetë e qartë se paqja e përhershme në Ballkan arrihet kur secili shtet i rajonit anëtarësohet në NATO dhe asnjë shtet në Ballkan nuk shërben si Rusi e Vogël. Prezenca dhe zgjerimi i NATO-s me Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar paqen dhe sigurinë rajonale”, vlerëson zëvendësministri në largim.

Ai ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë rajonale.

“Unë besoj në politikën e zgjerimit të NATO-s, sipas Nenit të 10të të Paktit Veri-Atlantik. Kështu, Kosova mund të jetë shteti i 31-të i NATO-s”, ka shkruar Ramadani në Facebook.