Foto: BIRN

Rama ofron kompromis me kushte për studentët protestues

Pas thirrjeve të përsëritura për dialog, kryeministri Edi Rama u duk se ofroi kompromis për studentët protestues në të gjithë Shqipërinë, me kushtin që ata ta njohin atë si palë legjitime dhe “udhëheqës” në zgjidhjen e telasheve me arsimin e lartë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri thirrje të përsëritur për “dialog” me studentët rebelë që po protestojnë kundër tarifave të arsimit të lartë të Dielën dhe të Hënën, por ai u refuzua – ndërsa numri i atyre në protestë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë filloi të bjerë.

Shqipëria pati një fundjavë të gjatë këtë javë në përkujtim të 8 dhjetorit, ditën kur studentët protestues më 1991 filluan të rrëzojnë regjimin komunist të vendit.

Megjithatë Rama nuk ishte në fundjavë por në zyrë të Dielën dhe të Hënën duke bërë thirrje më kot për dialog.

“Ky është një moment i artë për të krijuar një bashkëqeverisje me studentët,” tha Rama në një mesazh video në Facebook të Dielën.

“Qeveria nuk mund të lërë këtë moment joshës për ndryshim që të humbasë,” shtoi ai.

Lëvizja për Universitetin, një grup studentësh të majtë, refuzoi ftesën. “Ju jeni pjesë e problemit, jo të zgjidhjes,” thanë ata.

Rama la gjithashtu të hapur mundësinë për kompromis, duke thënë se ai ishte i gatshëm të diskutonte transferta më të larta nga buxheti për universitetet – dhe rrjedhimisht ulje të tarifave të studimit. “Synimet tona të përbashkëta nuk mund të arrihen përmes ultimatumeve,” tha ai me shpresë.

Lëvizja për Universitetin ka mbajtur protesta të vazhdueshme kundër reformave të Ramës mbi arsimin e lartë përgjatë pesë viteve të fundit, duke argumentuar se ligji aktual, i miratuar më 2014 me debate të ashpra, gërryen autonominë universitare dhe imponon rritje të tarifave.

Gjithsesi, Lëvizja për Universitetin duket se po e humbet kontrollin mbi protestën.

Të hënën, një numër më i vogël protestuesish u shfaq në dyert e Ministrisë së Arsimit ndërsa media pranë Partisë Demokratike në opozitë sulmoi Lëvizjen duke i quajtur ata komunista.

Protesta e fundit filloi të martën e kaluar kur studentët në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës morën një njoftim për të paguar tarifat vjetore paraprakisht brenda 15 dhjetorit për shkak se fakulteti kishte kryer shpenzime të mëdha në rinovimin e mjedisit.

Të zemëruar nga njoftimi, studentët bojkotuan leksionet dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.

Studentë nga departamentet e tjera me shpejtësi u bashkuan dhe, dy ditë më vonë, studentë nga universitetet në të gjithë vendin mbushën rrugët.

Në shumë universitete të tjera, në Korçë, Shkodër apo Gjirokastër, tarifat e studimit nuk janë veçanërisht shqetësuese dhe jeta është më e lirë për studentët. Gjithsesi, ata sërish u bashkuan në protestë në solidaritet.

Protestat duket se tërhoqën edhe simpatinë e një pjese të stafeve akademike dhe segmenteve më të gjera të popullsisë.

Kur studentët marshues bllokuan përkohësisht bulevardin kryesor të Tiranës të shtunën, pamje të kapura nga televizionet treguan se shoferët nuk u mërzitën aspak nga bllokimi. Disa prej shoferëve përshëndetën me buri dhe disa dolën nga makinat për të brohoritur studentët protestues.

Tarifat e universiteteve nuk janë veçanërisht të larta në Shqipëri por protestat e studentëve duket se po kanalizojnë një zemërim më të gjerë ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, i cili është në vitin e pestë si kryeministër.

Gjithsesi, disa nga studentët me të cilët foli BIRN gjatë protestës treguan histori varfërie dhe përpjekjesh të mëdha për të përballuar tarifat dhe koston e jetesës.

Mbi 55% e pagave në Shqipëri janë më pak se 30 mijë lekë në muaj, gjë që sugjeron vështirësi të konsiderueshme për shumicën e familjeve që kanë fëmijë arsimin e lartë. Vështirësitë janë veçanërisht të mëdha për familjet që jetojnë jashtë Tiranës dhe që kanë fëmijë studentë në Tiranë, për shkak se jashtë kryeqytetit ku vendet e punës janë më të pakëta dhe me paga më të ulëta ndërkohë që kostoja e jetesës në Tiranë është më e lartë.

Dita kulminante pritet të shënohet të martën, kur studentët presin të bojkotojnë sërish mësimet dhe qeveria, e cila sakaq ka plotësuar një prej kërkesave të studentëve, do të duhet të vendosë nëse do të plotësojë kushtet shtesë apo do të shpresojë se protesta do të pakësohet.

Kryeministri Edi Rama argumentoi se ulja e tarifave nënkupton heqjen e shpenzimeve gjetkë, si fjala vjen, në infrastrukturë publike apo në paga. Por Lëvizja për Universitetin iu kundërpërgjigj duke argumentuar se zgjedhja nuk është domosdoshmërisht kaq e dhimbshme.

“Rama bën sikur nuk kupton se kërkesat e studentëve për tarifat nuk ka pse t’i paguajë medoemos kamerieri apo mësuesi. Mjaftojnë dy masa: Të mos vidhet nga qeveritarët dhe të shtrëngohen oligarkët të paguajnë më shumë taksa,” tha ajo.

Shpenzimet e përgjithshme të arsimit të lartë në Shqipëri sipas buxhetit të vitit 2019 pritet të jenë 7.5 miliardë lekë, nga të cilat, 4.5 miliardë ose 60% janë planifikuar të arkëtohen nga vetë studentët. Një përgjysmim i përgjithshëm i tarifave, siç kërkohet nga studentët, mund të kërkojë një ndryshim në ligjin e sapomiratuar të buxhetit 2019 me zhvendosje me afro 2.25 miliardë lekësh nga shpenzime të tjera drejt arsimit të lartë. Shuma prej 2.25 miliardë lekësh është relativisht e parëndësishme për buxhetin e shtetit, i cili vitin e ardhshëm pritet të ketë 519 miliardë lekë shpenzime. Gjithsesi, përgjysmimi i tarifave është vetëm një nga kërkesat e studentëve dhe, siç e argumentoi kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij në Facebook, vetëm një nga problemet.

Stafet akademike kanë ngritur shqetësimet se ndërhyrjet nga qeveria aktuale në administrimin e universiteteve përmes emërimit të administratorëve si dhe mosmarrëveshjet e shpeshta të administratorëve me stafet akademike ka krijuar përplasje dhe bllokime të ndërsjellëta përgjatë viteve të fundit. Lëvizja për Universitetin i rikujtoi Ramës së fundmi se të emëruarit e qeverisë në bordet e universiteteve janë persona të lidhur ngushtë me Partinë Socialiste dhe jo tërësisht të njohur për cilësi në administrim.