Rama: Një President Mbarëkombëtar, Ëndërr e Realizueshme

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës e cila po mbahet për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se pas një rrugëtimi të mbushur me histori, qëndresë e sakrifice për liri, Kosova realizoi një aspiratë të madhe historike duke u vendosur si shteti më i ri në hartën politike të globit.

“Nga qëndresa e brezave që kaluan nga mbretëria e parë jugosllave e te shtypja serbe, vetëm dy dekada më parë kremtimi i pavarësisë së Kosovës ishte më shumë një utopi se një objektiv i arritshëm, e lëre më adresimi i kryeministrit të Shqipërisë në Kuvendin e Kosovës s’do të ishte i menduar as përmes fantazisë më pjellore letrare, por e gjitha kjo ka ndodhur”, ka theksuar Rama.

Rama u është drejtuar të pranishmëve në sallën e Kuvendit të Kosovës duke u thënë se Kosova dhe Shqipëria sot janë dy realitete formalisht të ndara administrative por jetojnë në një fushë të njëjtë mediatike, në një bashkëveprim institucional të vazhdueshëm të përafrimit të programit kombëtar të së ardhmes.

“Mbi pasqyrën e këtij realiteti të sotshëm nuk është e pamundur të parafytyrohet rruga për të ardhur në Prishtinë 10 vjet nga sot, në kremtimin e 20 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës pa pikë kufitare në Morinë, do të vijmë në sheshin ‘Skenderbeu’ të dëgjojmë një tjetër Rita Ora të re, puna e e përbashkët e nisur me mbledhje të përbashkëta qeveritare mes Kosovës dhe Shqipërisë do të kurorëzohet me një sistem arsimor të unifikuar, sistemi doganor do të jetë i unifikuar falë një integrimi të suksesshëm rajonal, turizmi do të jetë kthyer në një industri të fuqishme të zhvillimit falë shfrytëzimit të bukurive natyrore nga bjeshkët e Rugovës në pllajat blu të Ksamilit”, ka thënë Rama.

Sipas Ramës dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë histori dhe shqiptarët e serbët do të bashkëjetojnë në funksion të së ardhmes, si dy popuj me fqinjësi të mirë.

Foto Atdhe Mulla

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë politikë të jashtme dhe jo vetëm ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka thënë Edi Rama.

Disa prej mysafirëve në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ishin, ish i dërguari special i OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, William Walker, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kongresmeni amerikan, Eliot Engel, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, shefja e zyres së BE-së në Kosovë,  Natalia Apostolova, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie etj.